UBT News

​Konjufca: Blair është simbol i përmbylljes së luftës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se prania e Tony Blair në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës e përplotëson domethënien e kësaj date të shënuar.

Konjufca ka shkruar se ish-kryeministri britanik është mik të madh i Kosovës me të cilin ka biseduar mbi ato ngjarje të vitit 1999, që shënuan kthesë për fatin e popullit shqiptar në Kosovë, që prodhuan efekte të mëdha sa i përket edhe aspektit ndërkombëtar, vështruar nga pozitat e drejtësisë, humanizmit, sigurisë, të drejtave, vlerave dhe interesave strategjike perëndimore.

“Mbështetja dhe përpjekja e palodhur e z. Blair dhe Britanisë së Madhe ishin ndër faktorët kyç për të shkuar deri te përfshirja e NATO-s përbrenda dhe përkrah luftës sonë të drejtë e çlirimtare, kundër Serbisë dhe krimeve të saj monstruoze ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ai është simbol i përmbylljes së luftës për të shkuar te liria. E falënderova për vizitën dhe i shpreha mirënjohje të thellë për kontributin e tij të shquar e të vazhdueshëm, duke theksuar se ardhja e tij në Republikën e Kosovës është gëzim në zemrat e çdo shqiptari”, deklaroi ai.

Sipas tij, Blair i ka shprehur mbështetjen e tij për Republikën e Kosovës, për rrugën e saj të integrimeve, të përparimit të gjithanshëm dhe kontributit në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Exit mobile version