Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se çelësi për avancimin e dialogut është asociacioni bashkë me njohjen. Sipas tij, është në përgjegjësinë e Kosovës që të gjejë formën e asociacionit, që është në përputhje me kushtetutën dhe që nuk cenon rendin juridik. Konjufca tha se deklarimet e kryeministrit Albin Kurti për të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk janë akuza por konstatime. Tutje, ai u shpreh se i njëjti po e kryen punën e tij në mënyrë të papërgjegjshme.
Para gazetarëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës deklaroi se dialogu nuk mund të ecë përpara pa njohjen e shtetësisë së Kosovës.
“Vetëm një çelës është i mundshëm për të ecur dialogu përpara, asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim të dialogut, është problem… Serbia duhet që të pajtohet se kur ta kalon kufirin në Merdare është në një shtet tjetër. Duhet ta njoh, flamurin, simbolet nuk duhet që të na pengojë kur aplikojmë ne në organizata ndërkombëtare. Pastaj është në përgjegjësinë e Kosovës të gjejë një formë të asociacionit që është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk e cenon rendin juridik. Nëse mundoheni me shkatërrua ide atëherë jeni në favor të Serbisë. Është përfaqësim i pozicionit të Serbisë. Nuk është akuzë kjo, kjo është thjesht identifikim i një njeriu i cili po e kryen punë e vet goxha në mënyrë të papërgjegjshme”, tha ai.
Ai mohoi që ka pasur akuza ndaj Lajçak, veçse tha se shefi i ekzekutivit ka konstatuar mënyrën e punës së tij, ku siç tha Konjufca, “është pozicionim në krahun e Serbisë”.
“Së pari nuk mendoj që ato ishin akuza, ishin disa konstatime të mënyrës së punës së z. Lajcak. Është vërejtur me thënë të drejtën qysh në fillim që zotëri Lajcak më shumë qëndrimet të cilat i artikulon, më shumë janë le të themi ato marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht, e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm edhe formulimeve që ai i vendos në zgjidhjet që i propozon, të mund të jenë pikënisje e pozicionit të Serbisë, qysh të mund të akomodojë në mënyrë sa më të përshtatshme pozicionimin e Serbisë. E cili është pozicionimi i Serbisë? Pozicionimi i Serbisë është që Kosova duhet ta bëjë një asociacion jashtë çdo ombrelle politike të procesit i cili e ka arrit këtë pikë ku jemi tash”, deklaroi Konjufca.
Konjufca u shpreh se Kosova nuk mund ta bëjë asociacionin, nëse nuk është në horizont njohja nga ana e Serbisë, për çka u shpreh se ka devijim nga ideja origjinale.
“Qasja origjinale ka qenë kjo që meqenëse Kosova nuk mund ta bëjë asociacionin, sepse përndryshe do ta kishte bërë prej 2013 do ta kishte bërë në qeverinë e Isa Mustafës, ose Hashim Thaçit, ose më të hershme tash me VV është më vështirë që të bëhet. Sepse ne e kemi marr një mandat goxha të fuqishëm politik me disa premtime tjera. Cilat kanë qenë ato premtime, ato kanë qenë se Kosova nuk mund të ecë as një hap përpara në procesin e dialogut nëse nuk e ka në horizont njohjen nga ana e Serbisë. Pikërisht duke pas këtë parasysh ekspertët që e kanë përpiluar marrëveshjen e Ohrit e kanë zgjeruar ombrellën. Zgjerimi i ombrellës është që aty të jetë njohja dhe asociacioni. Tash Lajçak po thotë që aty është vetëm asociacioni. Njohja i përket Serbisë kur don ajo, do të thotë ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon atë dhe thotë që ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon këtë dhe thotë që ky është pozicion i BE atëherë ne mund të themi që Lajçak paska kontribuar që ky pozicion zyrtar i BE-së të jetë kjo që e përfaqëson Serbia. Mua nuk më duket kjo e drejtpeshuar fare. Është devijim prej idesë origjinale”, shtoi më tej Konjufca.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i ka quajtur të pabaza deklarimet e kryeministrit Albin Kurti drejtuar të dërguarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Ai tha se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë mbështetur për Lajçak dhe Borrel. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në takimin e 14 shtatorit, Lajçak ishte pozicionuar me Serbinë.