Llava që rrodhi nga mali Nyiragongo të shtunën në mbrëmje shkatërroi disa rrugë dhe krahina të qytetit Goma në Kongo.
Si pasojë e vullkanit, rreth 500 shtëpi u rrafshuan dhe agjencia e KB dhe UNICEF-it, thotë se më shumë se 100 fëmijë janë zhdukur pasi që ishin ndarë nga prindërit e tyre. Shumë prindër janë ende në kërkim të fëmijëve të tyre. Disa prej tyre thanë se kanë plan të bëjnë një njoftim në radio për të ndihmuar në gjetjen e tyre.
Qafa e horizontit të vullkanit u ndez të shtunën ndërsa llava shpërtheu nga një çarje në njërën anë të vullkanit. Nga frika se llava do të gllabërojë pjesë të qytetit duke vrarë qindra, siç bëri në vitin 2002, mijëra njerëz mblodhën sendet e tyre dhe u larguan drejt kufirit të Ruandës aty pranë. Më shumë se 3 mijë e 500 njerëz arritën të kapërcenin kufirin natën e shpërthimit mes trafikut të bllokuar.
Shumë nga banorët e Gomës janë mësuar të ikin. Grupet e armatosura kanë terrorizuar rajonin për më shumë se 25 vjet dhe shumë njerëz që jetojnë në qytet janë larguar nga dhuna që goditi fshatrat e tyre afër.
Dihet që më shumë se 30 njerëz kanë vdekur. Në shpërthimin e fundit, 250 njerëz u vranë dhe 120 mijë mbetën të pastrehë.
Disa fëmijë që ikën nga rrjedha e lavës dhe janë ndarë nga prindërit e tyre po qëndrojnë në një qendër të drejtuar nga Kryqi i Kuq në Goma. Punëtorët e Kryqit të Kuq dhe disa zyrtarë qeveritarë po përpiqen të bashkojnë familjet.
Nënat e dëshpëruara kanë kërkuar fëmijët e tyre duke shkuar nga qendra në qendër, për të parë nëse janë gjetur.
“Ne arritëm të gjenim rreth 530 fëmijë të cilët ishin ndarë nga familjet e tyre dhe për fat të mirë ne kemi qenë në gjendje të lehtësojmë ribashkimin e 360 fëmijëve përsëri me prindërit e tyre”, tha shefi i UNICEF-it në Goma, Jean Metenier./UBTNews
(Arjeta Ibishi, Media dhe Komunikim)