UBT News

​Konflikti sudanez kërcënon të kthehet në krizën më të madhe të urisë në botë

Drejtoresha ekzekutive e Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Cindy McCain, njoftoi se konflikti në Sudan, i cili po vazhdon prej gati një viti, kërcënon të kthehet në krizën më të madhe të urisë në botë. Ajo tha se luftimet në Sudan kanë shkatërruar jetët e miliona njerëzve në të gjithë vendin e Afrikës verilindore.

McCain e tha këtë në fund të vizitës së saj në Sudanin Jugor fqinj, ku qindra mijëra sudanezë kanë ikur nga lufta në vendin e tyre.

WFP vlerëson se rreth 18 milionë njerëz në të gjithë Sudanin përballen me urinë.

McCain u bëri thirrje palëve ndërluftuese të ndalojnë luftën dhe të lejojnë agjencitë humanitare të ofrojnë ndihmën e nevojshme për popullatën e prekur.

Sudani është përfshirë nga dhuna që nga mesi i prillit, kur tensionet midis ushtrisë zyrtare të udhëhequr nga gjenerali Abdel Fattah Burhan dhe Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) nën komandën e gjeneralit Mohamed Hamdan Dagalo u përshkallëzuan në luftime të hapura.

Qe atëherë, luftimet janë përhapur në disa pjesë të vendit, me kryeqytetin Khartoum dhe fqinjin Omdurman duke u bërë një fushë beteje urbane. Konflikti ka nxitur gjithashtu dhunën etnike në rajonin perëndimor të Darfurit të Sudanit.

Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, rreth 10 milionë njerëz janë zhvendosur në Sudan për shkak të luftimeve, nga të cilët 4.3 janë të zhvendosur brenda Sudanit dhe 1.2 milion janë larguar në vendet fqinje. Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se një krizë humanitare “e paimagjinueshme” po shpaloset në Sudan.

Konflikti vrau midis 10.000 dhe 15.000 njerëz dhe plagosi më shumë se 12.000, sipas Kombeve të Bashkuara, dhe aktivistët dhe grupet mjekësore në vend thonë se numri i vërtetë i vdekjeve është shumë më i lartë.

Exit mobile version