Në prag të Ditës Botërore të Tigrit, eksperti i botës së egër të Indisë, Karanth thotë se habitati i vendit mund të strehojë 15 mijë tigra kundrejt 3 mijë sa ka aktualisht.
Megjithëse aktualisht India strehon popullsinë më të madhe të tigrave, ekspertët besojnë se vendi nuk ka arritur një progres të lartë gjatë viteve në mbrojtjen dhe rritjen e numrit të tyre, shkruan Anadolu Agency (AA).
E mbuluar me vija të errëta vertikale me lesh ngjyrë kafe portokalli me një pjesë më të ndritshme, e cila dikur mund të shihej në një zonë të gjerë nga pjesa perëndimore e Anadollit Lindor deri në pellgun e lumit Amur në lindje dhe në jug nga ultësira e Himalajeve, tani tigri është i listuar si specie e rrezikuar në listën e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).
Duke folur ekskluzivisht për AA, në prag të Ditës Botërore të Tigrit, e cila shënohet të enjten K. Ullas Karanth, drejtor i Qendrës për Studime të Kafshëve të Egra me qendër në qytetin jugor indian Bangalore tha se vendi nuk ka arritur shumë për shkak të mos ndjekjes së politikave shkencore.
“Ne kishim rreth 2.000 tigra 50 vjet më parë, kurse tani kemi rreth 3.000. Duke pasur parasysh habitatin e mundshëm prej mbi 300 mijë kilometra katrorë, i cili ka një potencial për të strehuar 15 mijë tigra, do të thoja se nuk kemi arritur shumë”, tha ai.
Sipas vlerësimeve zyrtare, India vitin e kaluar numëronte 2.967 tigra në pyjet e saj kundrejt 2.226 të regjistruar në 2014.
Qeveria është duke drejtuar “Projektin Tigër” i cili ndërmerr kërkime dhe konverton habitatin e kësaj specie më të madhe të maceve të egra, e cila është gjithashtu kafsha kombëtare e Indisë.
Karanth tha se përpjekjet e rigjenerimit të tigrit indian filluan mbi 50 vjet më parë dhe vendi ka bërë relativisht më shumë se vendet e tjera në drejtim të lëshimit të fondeve, zbatimit të ligjeve të ruajtjes dhe krijimit të interesit publik për tigrat.
“Megjithatë, për shkak se kemi dështuar t’i mbështesim politikat tona në shkencë të shëndoshë dhe për shkak të burokracisë së tepruar, ne nuk kemi arritur atë që është e mundur”, tha ai.
Karanth, i cili ka kryer hulumtime mbi ekologjinë e tigrave, grabitqarëve simpatikë dhe gjitarëve të tjerë të mëdhenj tha se urbanizimi i shpejtë nuk është shkaku kryesor i tkurrjes së habitatit të tigrave.
Problemet ndryshojnë
“Urbanizimi dhe dëshira e njerëzve ruralë për të migruar në zonat gjysmë-urbane dhe urbane po ul presionin mbi pyjet e tigrave. Problemet janë të ndryshme dhe ndryshojnë midis rajoneve të vendit”, tha ai.
Ai tha se në pyjet më të gjera të Indisë qendrore dhe lindore, “problemi kryesor është gjuetia e paligjshme e preve dhe tigrave”.
“Shfrytëzimi i pyjeve dhe kullotja e bagëtive nga banorët lokalë shkakton gjithashtu hedhjen e mbeturinave në zona të mëdha. Projektet e infrastrukturës si rrugët dhe hekurudhat po prishin lidhjen e habitateve”, tha ai.
Karanth më tej tha se projekte joefikase të energjisë së gjelbër, të tilla si projekte mikro-hidel dhe projekte të rrugëve rurale po çojnë gjithnjë e më shumë habitatet e tigrave nën ndikimet negative njerëzore.
I pyetur nëse India po bën mjaftueshëm duke bashkëpunuar me vendet fqinje për ruajtjen e tigrave pasi që kafsha nuk njeh kufij, Karanth tha se macja e egër e madhe është zhdukur në të dy anët e kufirit përgjatë rajonit Kinë-Mianmar.
“Kufiri ku ne ndajmë habitatet e tigrave është me Mianmarin, Kinë-Tibet, Butanin, Bangladeshin dhe Nepalin. Përshtypja ime është se ka një koordinim të arsyeshëm me Nepalin, Butanin dhe Bangladeshin, vende që ndajnë popullsinë e tigrave me Indinë”, tha ai.
Konflikti njeri-kafshë
Në lidhje me rritjen e konfliktit njeri-kafshë, Karanth tha se “disa habitate të mbrojtura mirë të tigrave po nxjerrin numra të lartë të tigrave” të cilët po shpërndahen dhe po vijnë në konflikt me njerëzit.
“Në situata të tilla, prioritet duhet të jetë vrasja e shpejtë e tigrave problematikë nëse rrezikohen jetët e njerëzve nga vdekja për shkak të pranisë së vazhdueshme të grabitqarëve. Në të kundërtën, armiqësia lokale do të jetë e pakontrollueshme”, tha ai.
Duke komentuar suksesin e Indisë, si nënshkrues e deklaratës së Shën Petersburgut për ruajtjen e tigrave, e cila synon të dyfishojë numrin e tigrave në të gjithë gamën e tyre globale deri në vitin 2022, ekspertët thanë se “këto samite janë vetëm një shfaqje dhe mburrje për politikanët dhe burokratët vendorë dhe ndërkombëtarë”.
“Objektivat për të ashtuquajturin dyfishim lëvizin në mënyrë periodike. Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2000 numri i tigrave ishte 4.000, kurse në 2004 u ul qëllimisht në 1.400 në mënyrë që zyrtarët të luajnë këto lojëra. Numri real ka shumë të ngjarë të ketë qenë rreth 3.000 për dy dekadat e kaluara. Përdorimi i metodave të dobëta dhe fshehja e të dhënave nga vëzhgimet e pavarura janë disa nga mënyra se si po zhvillohen gjërat”, tha ai.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi ka pohuar se vendi e ka përmbushur këtë objektiv të dyfishimit të popullsisë së tigrave në 2019, katër vjet përpara afatit.