UBT News

Konflikti ligjor i Blake Lively, gjykata urdhëron dorëzimin e videove të lindjes

Një gjykatës federal në SHBA ka vendosur në favor të aktores Blake Lively, duke urdhëruar producentin e filmit It Ends With Us, Jamey Heath, të dorëzojë të gjithë materialin filmik që tregon bashkëshorten e tij, Natasha, gjatë lindjes.

Sipas dokumenteve të depozituara më 17 nëntor, gjykatësi Lewis J. Liman theksoi se pamjet “duhej të ishin dorëzuar” në kuadër të  urdhërit të mëparshëm për zbulimin e provave dhe se çdo video që dokumenton momentin e lindjes “mund të mbështesë pretendimet e Lively-t”.

Për shkak të natyrës së ndjeshme të materialit, pamjet do të mbeten të vulosura dhe të mbrojtura nga urdhri gjyqësor.

Lively, 38 vjeç, kishte kërkuar sanksione ndaj Heath për mosdorëzimin e plotë të videove dhe për të ndaluar atë të dëshmojë mbi pamjet që ajo pretendon se i janë treguar. Gjykatësi Liman refuzoi vendosjen e sanksioneve, duke argumentuar se keqinterpretimi i urdhrit nga Heath nuk përbën shkelje të qëllimshme. Ai urdhëroi që të gjithë materialet shtesë të dorëzohen deri më 20 nëntor.

Sipas dokumenteve të paraqitura nga ekipi i Lively-t, Heath kishte dorëzuar vetëm fragment të videos, aktorja ka “kundërshtuar vazhdimisht” se ai përputhet me atë që i është shfaqur asaj dhe asistentes së saj në set.

Ajo pretendon se për javë të tëra pala e Heath këmbëngulte se nuk ekzistonte material tjetër, derisa pranoi në depozitë se posedon më shumë video. Videoja e lindjes është në qendër të padisë së Lively-t, ku ajo akuzon regjisorin Justin Baldoni dhe Heath për sjellje “të shqetësuese” dhe “joprofesionale”.

Pala e Baldoni dhe Wayfarer mohon pretendimet, duke e cilësuar videon si moment “të bukur” familjar, i ndarë me pëlqimin e Natasha-s. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version