Policia e Kosovës si rezultat i angazhimeve hetimore dhe operative në terren, të cilat kanë për qëllim identifikimin e personave të dyshuar kryes të veprave penale dhe parandalimin e kryerjes së aktivitetit të tyre, ka realizuar një operacion policor i cili ka rezultuar me sekuestrim të armëve dhe municionit.
Sipas Policisë, më datën 23.07.2024 Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pas dyshimeve se po kryhet vepra penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’, ka bërë kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse në fshatin Koliq të Prishtinë, pronë e të dyshuarit mashkull kosovar, kontroll i cili është kryer me urdhër të gjykatës kompetente.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një sasi armatimi e municioni një armë (pistoletë) kal: 7.62mm, dy armë (pistoletë) kal: 9×19 mm, tetë karikatorë, 61 fishekë kalibër 7.62, dy armë gjuetie, kal: 12 GA, një pushkë me dylbi prodhim italian dhe 303 fishekë kalibrash të ndryshëm. Personi i dyshuar është arrestuar dhe rasti i nënshtrohet vijueshmërisë së procedurave të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.