UBT News

Konfiskohen 75 kg narkotikë, arrestohen pesë persona

Policia e Kosovës përmes një konference për medie ka njoftuar se janë konfiskuar 75 kilogramë narkotikë, 3 vetura dhe 1 mijë e 700 euro para të gatshme. Në këtë konferencë për media u bë e ditur se janë arrestuar pesë persona.

Reshat Murseli nga Drejtoria për narkotikë tha se hetimet për këtë rast kanë filluar katër muaj më parë.

Murseli shtoi se bastisjet janë kryer përveç në Prishtinë, në Mitrovicë dhe Bardhosh prej nga është gjetur e sekuestruar e gjithë kjo sasi e drogës, veturave e parave të gatshme. Murseli tha se sasia e narkotikëve dyshohet se ka ardhur nga vendet fqinje dhe destinacion kishte vendet e Bashkimit Evropian.

“Policia e Kosovës ka realizuar me sukses operacionin. Hetimet për këtë rast kanë nisur katër muaj më parë dhe kanë rezultuar me arrestimin e pesë personave. Operacioni policor ka filluar në orët e pasdites së djeshme në Prishtinë. Në ndjekje e sipër Policia ka arritur të arrestojë të dyshuarin e moshës 55 vjeç dhe në momentin e arrestimi ai ka sulmuar fizikisht policët. Janë gjetur rreth 20 kilogramë të marihuanës, një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Mitrovicë, pastaj kanë vazhduar në shtëpinë e të dyshuarit të dytë në Bardhosh ku janë gjetur 50 paketime të mbushura me mariuhanë, ku kanë rezultuar se janë 55 kilogramë, 193 fishekë, një pjesë përbërëse e pistoletës, është sekuestruar vetura Golf, Skoda dhe 1 mijë e 700 euro para”, deklaroi ai.

Prokurorja Ikramije Bojaxhiu tha se të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, duke shtuar se i gjithë aksioni është realizuar falë ndihmës së qytetarëve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka rezultuar me arrestimin e 4 personave të dyshuar për shitjen e narkotikëve, ndërkaq nga këto kontrolle të njëjtit dyshohen edhe për vepra të tjera penale. Të dyshuarit janë ndaluar me aktvendim në kohëzgjatje prej 48 orësh. Sot pas ndërmarrjes së veprimeve është arrestuar edhe personi i pestë për disa vepra penale. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa vetura, para të gatshme. I gjithë ky sukses ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të qytetarëve. Prioritet i KPK është luftimi i kësaj dukurie, meqenëse kemi të bëjmë me vepra penale karakteristike dhe kemi të bëjmë me vepra penale që janë me rrezikshmëri të lartë”, deklaroi ajo.

Exit mobile version