UBT News

Konfiskohen 700 kilogramë produkte të mishit në Ferizaj

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) sot ndërmori një aksion për inspektimin e të gjitha mishtoreve në Ferizaj, në bashkëpunim me inspektorët komunal.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi tha për KosovaPress se nga ky aksion u konfiskuan një sasi prej 700 kilogramë mish dhe produkte mishi, e cila nuk i plotësonte kushtet ligjore për tregtim.

“Produktet e mishit të konfiskuar ishin: mish i freskët, mish i grirë, suxhuk, virshlle, mish i terur. E gjithë sasia u tërhoq nga shitja, u bllokua me urdhër të inspektorit. E gjithë sasia e mishit të ndaluar do të asgjësohet në prani të inspektorëve kompetent. Shumica e mishtoreve posedonin kushte të mira higjienike, për hapësirat që kishte defekte u urdhëruan përmirësimet brenda afateve kohore”, thekson Thaçi.

Ai po ashtu tha se AUV përmes inspektoratit veterinar është duke ndërmarrë aksione në të gjithë Kosovën të largojë nga tregu të gjitha produktet ushqimore me origjinë shtazore, të cilat nuk i plotësojnë kriteret ligjore për sigurinë ushqimore.

“Të gjithë operatorët të cilët tregtojnë produkte mishi duhet të jenë të regjistruara në AUV. Thertoret dhe përpunuesit e mishi duhet të jenë të licencuara për veprimtarinë përkatëse. Hapësirat duhet t’i plotësojnë kushtet teknike sanitare higjienike, të cilat garantojnë siguri në prodhim, përpunim apo tregtim të produktit”, tha ai.

Thaçi tha se në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor duhet plotësuar kushtet që produkti te konsumatori të shkojë i sigurt dhe cilësor.

AUV edhe gjatë javës së kaluar kishte marrë aksion edhe në Prizren për konfiskimin e produkteve të mishit që nuk përmbushnin kushtet për tregtim.

Exit mobile version