Ekspertët nga Hong Kong njoftuan sot se kanë zbuluar rastin e parë të konfirmuar në botë me ri-infeksion të koronavirusit, por ata theksojnë se është shumë herët për konkludime.
“Ky rast tregon se ri-infeksioni mund të ndodhë vetëm disa muaj pasi një person është shëruar nga infeksioni i parë,” tha Departamenti i Mikrobiologjisë i Universitetit të Hong Kongut në një deklaratë.
Sipas studiuesve, analiza gjenetike tregoi se këto dy infeksione të njëpasnjëshme të të njëjtit pacient ishin shkaktuar nga dy lloje të ndryshme të SARS-CoV-2, virusi përgjegjës për COVID-19.
“Rezultatet tona sugjerojnë që SARS-CoV-2 mund të vazhdojë të qarkullojë në popullatë, siç është rasti me koronaviruset e tjerë përgjegjës për ftohjet e zakonshme, edhe pse pacientët kanë fituar imunitet,” thonë ekspertët.
“Meqenëse imuniteti nuk mund të zgjasë shumë pas infeksionit, vaksinimi duhet të konsiderohet edhe për ata që tashmë janë infektuar,” vlerësojnë ata.
Një pacient 33-vjeçar në Hong Kong, doli pozitiv për herë të parë më 26 mars, pasi tregoi simptoma të tilla si kollë, dhimbje koke, dhimbje të fytit dhe ethe. Kur u shërua, ai u testua dy herë dhe ishte negativë dy herë. Megjithatë, më 15 gusht, ai doli përsëri pozitiv.
Këtë herë, megjithatë, ai nuk kishte simptoma: sëmundja e tij u zbulua për shkak të një testi në një aeroport në Hong Kong, ku ishte kthyer nga Spanja përmes Britanisë së Madhe.
Në muajt e fundit, janë përmendur disa raste të rikthimit të koronavirusit në botë, por pa konfirmim të qartë. Çështja e imunitetit ndaj COVID-19 është ende shumë e panjohur dhe ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet të nxitohen në përfundime.
“Është e vështirë për të nxjerrë përfundime përfundimtare nga një rast. Duke pasur parasysh numrin e infeksioneve në botë, një rast i ri-infeksionit nuk është shumë befasues,” komentoi Jeffrey Barrett nga Instituti Wellcome Sanger.