Pas javësh spekulimesh dhe emrash të shumtë që qarkullonin për drejtimin e Festivalit të 64-t të Këngës, dilema duket se ka përfunduar.
Ndërsa në listë qarkullonin prezantuese me karrierë të gjatë televizive, rolin e moderatores së spektaklit e ka fituar një artiste që flet më shumë me muzikën e saj se me deklarata: Arilena Ara.
Burime për “popart.al” raportojnë se këngëtarja do të rikthehet në skenën që e shpalli fituese në vitin 2019, por këtë herë si prezantuese e një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore në vend.
Ky rikthim shihet si i natyrshëm, duke pasur parasysh eksperiencën që Arilena ka në moderim, përfshirë prezantimin e “Piranjat”.
Skena e festivalit, e njohur për emocionet, performancat e estetikën e veçantë, duket se i përshtatet në mënyrë ideale stilit e karizmës së këngëtares. Një nga emrat që u përfol për prezantimin e festivalit ishte edhe Salsano Rrapi, i cili prej kohësh shihet si kandidat potencial.
Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar për pjesëmarrjen e tij. Nëse ky kombinim realizohet, Arilena Ara dhe Salsano Rrapi mund të formojnë një dyshe dinamike dhe tërheqëse, e cila do t’i sillte skenës së Festivalit të Këngës një energji të re. /A.Z/UBT News/
