Emërimi i tij u konfirmua nga Senati amerikan.
Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Muajin e kaluar, në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Hovenier ka thënë se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.
Ai po ashtu ka thënë se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Për ta marrë detyrën ka qenë i nevojshëm konfirmimi i Senatit.
Hovenier do ta zëvendësojë në këtë pozitë ambasadorin e deritanishëm amerikan, Philip Kosnett, mandati i të cilit përfundon në fund të vitit.
Kosnett është larguar nga Kosova pak muaj më parë, ndërsa në detyrë ka mbetur zëvendësi i tij, Nick Giacobbe.