Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Gjatë seancës, kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës janë refuzuar, duke i lënë të pandehurit përballë akuzave të rënda.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla akuzohen se janë përfshirë në një plan të mirëkoordinuar për të kryer vrasjen e Liridona Ademajt, me qëllim hakmarrjen dhe përfitim financiar nga sigurimi i jetës së saj. Sipas aktakuzës, Murseli ishte ai që e kishte orkestruar vrasjen për shkak të çrregullimeve në raportet e tij familjare dhe martesore me Liridonën. Ai ka siguruar armën dhe ka marrë marrëveshje me Granit Plavën që ai ta kryejë vrasjen për një shumë prej 30 mijë eurosh.
Plava ka përdorur armën për të qëlluar dhe vrarë Liridonën, ndërsa Naimi, në mënyrë të planifikuar, ka qëndruar me të bijtë dhe ka ndihmuar që të duket si një grabitje e inskenuar. Për këtë, ai është akuzuar për “Vrasje të rëndë” në bashkëkryerje me Plavën dhe Kokallën.
Në aktakuzë është gjithashtu përmendur se pas vrasjes, Kushtrim Kokalla nuk e ka raportuar ngjarjen, edhe pse ka pasur dijeni për planifikimin dhe realizimin e krimit. Kjo ka rezultuar në një akuzë shtesë ndaj Kokallës për “Moslajmërimin e veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Përveç të akuzuarve të tjerë, Tom Dodaj është akuzuar për shitjen e paautorizuar të armës, e cila u përdor në vrasjen e Liridona Ademajt. Ai është ngarkuar me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve”.
Në seancën e parë të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli e ka pranuar se është i përfshirë në vrasje, por është deklaruar i pafajshëm, ndërsa Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla nuk janë deklaruar për fajësinë. Tom Dodaj pranoi fajësinë dhe është dënuar me 5 vjet burg dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.
Ky rast ka tronditur opinionin publik, pasi bëhet fjalë për një vrasje të planifikuar nga një burrë për të eliminuar bashkëshorten e tij, ndërsa pritet që gjykata të vazhdojë me shqyrtimin e provave dhe dëshmive që mund të ndryshojnë fatin e të akuzuarve./BetimipërDrejtësi/