Në Kosovë janë konfirmuar 12 raste me variantin Delta Plus. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 70 mostra të dërguara për analiza në Gjermani, 12 prej tyre kanë rezultuar me variantin Delta Plus, ndërsa 47 me variantin Delta.
Ministria e Shëndetësisë informon se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka pranuar rezultatet për mostrat e dërguara në dërgesën e pestë për sekuencionim përmes projektit ECDC në Eurofin Genomics, Gjermani.
“Nga shtatëdhjetë mostrat e dërguara të cilat kanë rezultuar pozitive në Kosovë, të dërguara për sekuencionim përmes projektit të ECDC në laboratorët Eurofin, Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20.33%) është detektuar varianti Delta Plus dhe në 47 raste është detektuar varianti Delta (79,66%)”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
IKShPK planifikon që të hënën më 15.11.2021 të dërgojë mostrat e tjera pozitive me SARS-CoV-2 të mbledhura gjatë dy javëve të fundit, përmes të njëjtit projekt, me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të SARS-CoV-2 në qarkullim në Kosovë./UBTNews