Një konferencë ndërkombëtare e donatorëve për Ukrainën në Varshavë ka mbledhur 6.5 miliardë dollarë, njoftoi të enjten kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki.
Në një videodeklaratë para premtimeve, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se përfundimi i luftës varet gjithashtu nga situata financiare e Ukrainës.
“Liria duhet të tregojë se mbron dhe siguron për njerëzit më mirë se tirania”, tha Zelensky, duke bërë thirrje për një version modern të Planit Marshall, një iniciativë e ShBA që i dha ndihmë Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.
Kontributet synojnë të financojnë mbështetjen humanitare, të mbështesin ekonominë e Ukrainës gjatë pushtimit të Rusisë dhe të ndihmojnë në financimin e rimëkëmbjes së vendit të pasluftës.
Polonia dhe Suedia organizuan së bashku konferencën me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që PBB-ja e Ukrainës të bjerë me 35% në vitin 2022 si rezultat i pushtimit rus.
Sipas FMN-së, Ukraina ka thënë se do t’i duhen rreth 5 miliardë dollarë në muaj, gjatë dy deri në tre muajve të ardhshëm, për të siguruar funksionimin e qeverisë dhe institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) thotë se rreth 5.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt.
Rreth 7.7 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda Ukrainës, tha gjatë konferencës koordinatori i ndihmës emergjente i OKB-së, Martin Griffiths.
Një ngjarje e veçantë për refugjatët ukrainas në prill mblodhi rreth 9.9 miliardë dollarë./UBTNews/