Këngëtari britanik Robbie Williams ka njoftuar se koncerti i tij i planifikuar në Stamboll, më 7 tetor, është anuluar nga autoritetet turke “në interes të sigurisë publike”.
Vendimi vjen pas fushatave të zhvilluara nga OJQ-të pro-Gazës e përdorues të mediave sociale, që protestuan kundër mbajtjes së ngjarjes.
Data e koncertit përkonte me përvjetorin e dytë të sulmit të Hamasit ndaj komuniteteve jugore izraelite – ngjarje që çoi në ofensivën ushtarake të Izraelit në Gazë.
Për disa ditë me radhë, rrjete sociale turke dhe organizata aktiviste kërkuan anulimin, duke e akuzuar këngëtarin britanik si “sionist”, raportoi Reuters.
Koncerti i artistit 51-vjeçar është vënë në qendër të vëmendjes në Turqinë kryesisht myslimane, për shkak të origjinës hebraike të familjes së tij dhe performancës së tij në Izrael në vitin 2015, e cila asokohe shkaktoi kritika nga grupet pro-palestineze.
Kompania e biletave Bubilet deklaroi se anulimi u bë me kërkesë të Zyrës së Guvernatorit të Stambollit.
Në një postim në Instagram, Williams tha se siguria e fansave të tij “vjen e para”, duke shprehur keqardhje për anulimin e koncertit dhe theksuar se “vendimi ishte jashtë kontrollit tonë”. /A.Z/UBT News/