Nesër, më 23 tetor 2023, duke filluar nga ora 13:00, komuniteti shqiptaro-amerikan do të protestojë para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në sheshin “Dag Hammarskjöld” në New York për t’i dënuar aktet e vazhdueshme të terrorizmit dhe luftënxitëse të Serbisë.
Shqiptaro-amerikanët i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar që të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për ta detyruar Serbinë që t’i ndalojë dhe të përmbahet nga veprimet dhe politikat që janë duke e minuar stabilitetin e Kosovës dhe Ballkanit.
Së fundmi, më 29 maj 2023, Serbia orkestroi protestat e dhunshme në veriun e Kosovës që rezultuan me sulme të paprovokuara ndaj forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR.
Më 24 shtator 2023 terroristët dhe njësitë para-ushtarake nga Serbia ndërmorën një sulm terrorist në Kosovë. Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon që Serbia dhe udhëheqësit e saj të mbahen përgjegjës, si dhe të gjithë të përfshirët në aktet e agresionit dhe terrorizmit të sillen para drejtësisë.
“Rajoni i Ballkanit është një fuqi baruti. Nëse nuk ndërhyhet, mund të ndizet një luftë e re në zemër të Evropës e që do të jetë një luftë shtesë me të cilën do të duhet të ballafaqohet komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në një komunikatë për media.
Protesta mbahet te Këndi i Rrugës East 47th & Avenysë 1 në Nju Jork, NY 10017.
Protesta organizohet në ditën kur Këshilli i Sigurimit të OKB-së mban takimin e rregullt për Kosovën.
Ky takim mbahet pas sulmit të fundit terrorist serb në Kosovë që rezultoi me vrasjen tragjike të një polici të Kosovës dhe lëndime të tjerëve.
Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së pritet të fillojë nga ora 15:00 sipas kohës lokale ose 21:00 me kohë lokale të Kosovës.
Ndryshe, komuniteti shqiptaro-amerikan përbëhet nga më shumë se 100 shoqatave të ndryshme të këtij komuniteti nga vende të ndryshme të SHBA-së.