Komunat e Kosovës kanë zbatuar vetëm 39 për qind të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit në vitin 2023.
Kjo u bë e ditur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë publikimit të analizës gjithëpërfshirëse për raportin e ZKA-së, ku mes tjerash u theksua se në bazë të të gjeturave ka keqmenaxhim të parasë publike nga komunat.
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, tha se niveli i zbatimit të rekomandimeve të ZKA-së për nivelin lokal ka rënë vitin e kaluar.
Ai përmendi disa prej arsyeve që sipas tij ka mundur të ndodh një gjë e tillë.
“Sipas raportit vjetor të vitit 2023 vetëm 39 për qind e rekomandimeve të auditorit janë zbatuar. Kemi një masë prej 61 për qind të pazbatuar. Kjo është një rënie krahasuar me vitin 2022, kur kjo shkallë ka qenë në masë 46 për qind të zbatimit të rekomandimeve. Shkaqet që kanë ardhur deri kjo ndoshta do të diskutojmë as është kompleksiteti i rregulloreve, ligjeve, mungesa e vullnetit politik, burimet e pamjaftueshme njerëzore apo profesionale”, tha ai.
Pjesë e tryezës së diskutimit ishte edheAuditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila tha se niveli lokal ka ngecje më shumë në zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së.
Ajo tha se te niveli qendror dhe agjencitë e pavarura zbatimi i rekomandimeve është më i kënaqshëm.
“Nëse këto rekomandime nuk gjejnë zbatim për neve është shqetësuese. Ne bisedojmë në vazhdimësi edhe brenda zyrës edhe me komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike për arsyet se pse s’po zbatohen rekomandimet e auditimit…Në nivelin qendror ka zbatueshmëri më të lartë. Ka zbatueshmëri të rekomandimeve edhe të ndërmarrjeve publike dhe tek agjencitë e pavarura, por ngecja është tek niveli lokal. Mënyra siç është i rregulluar sistemi i menaxhimit të financave publike, ndarja e detyrave dhe strukturat dallojnë prej nivelit qendror nga ai lokal”, deklaroi ajo.
Pjesëmarrës në publikimin e kësaj analize ishte edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili tha se kanë bërë progres në zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së.
Mirëpo, ai tha se komunat nuk duhet të penalizohen për shkak të keq klasifikimit të shpenzimeve që dalin nga kontrata kolektive, e nënshkruar nga qeveritë e kaluara.
“Është e vërtet se ne si komunë kemi progres në zbatimin e rekomandimeve. Po ashtu kemi përsëritje të rekomandimeve, nëse marrin raportin e vitit 2021 dhe bëjmë krahasime diku 70 për qind të rekomandimeve i kemi përmbushur për vitin 2022. Ndërkohë, diku mbi 80 për qind do t’i përmbushin rekomandimet e ZKA-së për vitin 2023…Nuk duhet ta pranojmë dhe të lejojmë faktin që komunat të penalizohen për shkak të moszbatimit ose obligimeve që dalin nga kontrata kolektive. Jemi të vetëdijshme se asnjë kryetar i komunave s’është nënshkrues i kontratave kolektive. S’është e ndershme, ligjshme dhe njerëzore që të penalizohen komunat për shkak të një marrëveshje e cila është dashur të gjendet një zgjidhje Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë”, theksoi Latifi.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rrahimaj, tha se raporti i kualifikuar për komunat nga Zyra Kombëtare e Auditimit jo shpeshherë ndërlidhet me punën ose mospunën e kryetarit të komunës.
Ai përmendi kontratën kolektive si barrë për komunat, derisa dha si shembull një vendim nga e kaluara.
“Duke qenë në mandatin e parë, jo me doemos raporti i kualifikuar ose modifikuar ndërlidhet me punën ose mospunën e kryetarit aktual. Pasojat e një marrëveshje mund të vijnë edhe më pas, siç është rasti i kontratës kolektive. Apo siç është rasti kur ne pas dhjetë viteve marrim një vendim nga Gjykatat se një kontratë e lidhur nga komuna e Kamenicës është tash e jashtëligjshme. Atë pasojë e bartë kryetari aktual dhe ajo pasojë identifikohet në raport të auditimit dhe e bartim atë imazhin, jo shumë të mirë të një qeverisje ku merr një opinion të kualifikuar”, theksoi Rrahimaj.
Pjesë e tryezës në publikimin e kësaj analize ishin edhe deputetë nga Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike, të cilët theksuan nevojën e zbatimit të rekomandimeve të ZKA-së.