Buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro, por me buxhetin e parashikuar për to nuk janë të kënaqura komunat.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se në bazë të analizës së tyre, mjete e ndara kanë shënuar rënie ndër vite.
Për vitin 2023 nga buxheti i përgjithshëm 20.5% do të dedikohet nivelit lokal, krahasuar me vitin 2020 kur ishte 21.7% e vitin 2021 22.1%. Ai shton se buxheti duhet të fokusohet në hartimin e politikave të cilat e ndryshojnë situatën e jo me ndërtimin e godinave, duke iu referuar ndarjes së mjeteve për ndërtimin e shkollave e çerdheve.
“Në bazë të analizave të Asociacionit të Komunave të Kosovës rezulton që në vitin 2020 komunat kanë pranuar 21.7% të mjeteve buxhetore nga buxheti i Kosovës. Në vitin 2021, 22.1%, kurse në vitin 2022 kjo përqindje bie në 19.6. Ndërsa në vitin 2023 do të jetë 20.5%. Në raport me vitin 2021 dhe 2020 përqindja e mjeteve që do t’i bartet komunave është më e vogël se 2021. Kjo ndikon në përmasimin e jetës së qytetarit. Sa më shumë mjete që i dedikohen komunave atëherë edhe rezultatet shihen në praktikë dhe shkojnë në investime kapitale dhe përmirësohet jeta e qytetarit. Niveli qendror ende tenton t’i centralizoje kompetencat. Ndërtimin e shkollave në një kohë paraprake ministria e arsimit pati hequr dorë nga ndërtimi i çerdheve ndërsa tash po e shohim që trendi është rikthyer. Po besojmë që niveli qendror duhet të merret me hartimin e politikave të cilat e ndryshojnë situatën e jo me ndërtimin e godinave”, deklaroi ai.
Ai edhe njëherë ka bërë thirrje që të miratohet Ligji për financa lokale.
“Ne kemi kërkuar që të miratohet Ligji për financa lokale. Nëse miratohet granti i katërt këto mjete financiare të cilat shkojnë përmes ministrive te komunat do të shkojnë te komunat. Si pasojë e mos funksionalizimit të bordit të OShP, ngritjes së çmimeve, rritjes së inflacionit shumë projekte që do të përmirësonin jetën e qytetarëve nuk kanë mundur të zhvillohen”, tha ai
Ndër prioritetet kryesore të Qeverisë për vitin 2023, është vendosur sektori i shëndetësisë ku janë ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë në nivel qendror e lokal. Pas kësaj, prioritet është bujqësia ku me mbështetjen nga fondet e jashtme, kryeministri është shprehur se pret ta tejkalojnë vlerën 100 milionë euro. Derisa 60 milionë euro janë paraparë për shtesat për lehona e për fëmijë nën moshën 16-vjeçare.