Komuna e Vitisë me mbështetjen e ofruar nga UBT dhe ekspertët e tij, ka finalizuar Propozim Planin Zhvillimor Komunal, i cili do të ndjek procedurat ligjore për të vazhduar më pastaj me implementimin e tij.
Në takimin e zhvilluar mes përfaqësuesve të UBT-së të prirë nga rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, dhe përfaqësuesve të komunës së Vitisë të prirë nga kryetari i komunës, Sokol Haliti, u bë e ditur se po vazhdon puna në përgatitjen e hartave zonale për qytetin e Vitisë.
Rektori Hajrizi shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë e plotë të UBT-së për të ndihmuar në procesin zhvillimor të komunës së Vitisë me të gjitha kapacitetet që ka institucioni, si dhe me ekspertët më të mirë, në fushat ku komunës i nevojitet më së shumti.
Ndërkaq, kryetari Haliti theksoi se me hartimin dhe finalizimin e Planit të ri Zhvillimor Komunal dhe të Hartave Zonale, janë duke u krijuar dokumente shumë të rëndësishme të cilat do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e komunës së Vitisë.
UBT, vazhdimisht është duke dhënë kontributin e tij në shoqëri, nga ku përmes ekspertizës që ka institucioni, si dhe mbështetjes në akademi dhe shkencë po jep mbështetje të pakursyeshme tek institucionet në procese të ndryshme me rol kyç për gjithë shoqërinë.