UBT News

Komuna e Shtimes shpall gjendje emergjente pas reshjeve

Komuna e Shtimes ka shpallur gjendje emergjente si pasojë e gjendjes së rënduar që u krijua pas reshjeve të pandërprera të shiut, ku kryetari i kësaj komune, Qemajl Aliu ka monitoruar dhe vlerësuar gjendjen edhe nga afër.

“Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve”, tha Aliu.

Sot pritet të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili në terren po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.

Në njoftimin e komunës, mes tjerash, bëhet e ditur se në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por ekipet dhe shërbimet komunale me makineri të specializuar janë duke ndërhyrë me kujdes për trajtimin e dëmeve të shkaktuara dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Tutje, Komuna e Shtimes u bën thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situatës./S.K/KP/

Exit mobile version