Me rastin e 25-vjetorit të gjenocidit serb në Kosovë është mbajtur seanca përkujtimore në Kuvendin Komunal të Rahovecit. Në këtë seancë u kujtuan krimet e luftës dhe masakrat që shkaktuan serbët ndaj luftës në Kosovë.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se qytetarët e Rahovecit e kanë përjetuar në lëkurën e tyre dhunën dhe represionin serb, të cilët bënë krime kundër njerëzimit.
“Vitet 1998-1999 ishin vitet e vrasjeve dhe të masakrimeve të qindra e mijëra qytetarëve të pafajshëm e të pambrojtur, vite të vrasjeve dhe masakrimeve edhe të fëmijëve, grave e pleqve, të zhdukjes së mijërave shqiptarëve, të një populli të tërë. Faktet dëshmuan se pikërisht këtë e parasheh faza e fundit e skenarit të çmendur serb, kundër shqiptarëve të Kosovës. Në Kosovë pushtuesi serb bëri krime kundër njerëzimit, të cilët ishin të përmasave aq të mëdha saqë ka të bëjë me elemente të pastërta të gjenocidit. Populli i Rahovecit, e kanë përjetuar në lëkurë të vet dhunën dhe represionin serb”, tha Latifi.
Asambleisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hasan Perboqi shtoi se populli shqiptar ende kërkon drejtësinë e vonuar, ku padrejtësisht çlirimtarët e Kosovës që sollën lirinë po përballen me procese të padrejta dhe të montuara.
“Sot plagët e familjarëve ende kullojnë gjak, ende ju mungojnë më të dashurit e tyre. Sot ende mungon drejtësia për masakrat barbare të parapara deri atëherë për botën mbarë. Sot populli shqiptarë vazhdon të kërkoj drejtësinë e vonuar, por siç e thotë populli vet “ më mirë vonë, se kurrë “, edhe pse mungon drejtësia për krimet serbe, padrejtësisht, çlirimtarët tanë që na sollën lirinë, përballen me procese të padrejta dhe të montuara”, shtoi ai.
Ndërsa, i mbijetuari i luftës në Masakrën e Krushës së Madhe në Rahovec, Selami Elshani rrëfeu tregimin e tij se si ka mbijetuar nga plumbat dhe zjarri që kaploi dhomën që ai ishte në të.
“Në mëngjesin e 25-tit të 99-tës qohem në mëngjes dhe shohim magjistralen Prizren-Gjakovë ishte e stërmbushur me polici e ushtri të Serbisë. Në mes të natës ushtria e Serbisë na vjen mbi kokë dhe kërkojnë dorëzimin tonë para tyre, dikush prej neve kishte ngritur një shenjë të bardhë, dhe dorëzohemi dhe të gjithëve na futën në shtëpi njëkatëshe, në mëngjes dolëm përjashta dhe na ndajnë burra e gra veç, na ulën neve burrave në pesë rende dhe në mes lënë një rrugë këmbësore me qëllim që të na digjnin për së gjalli, e në atë korridor kanë lënë hapësirën që të na shohin gratë. Prej mëngjesit e deri në mbasdite serbët janë sillur me neve siç kanë dashur, në çdo lloj mënyre, maltretimi. Për fatin tim një police shkrep një plumb pa urdhër, ku ka rrokë dikë por mu jo, dhe më erdh ideja jam përplasur për dheu dhe kanë filluar kallashët deri kur i kanë rrëzuar të gjithë në tokë, dhe pastaj dhe nga një plumb në tokë se mendonin se ka të gjallë, dhe mu më prek në shpatull plumbi por jo në trup, pastaj dhënë urdhër që të vendosin benzinë përmbi ne dhe u larguan. Duke menduar me vete thosha se “a digjet njeriu për së gjalli” dhe ju luta Zotit e vendosa të dalë dhe mu kthye vetëdija dhe forca”, rrëfeu Elshani.
Po ashtu Selami Hoti, përfaqësuesi i këshillit të personave të pagjetur i familjeve në Komunën e Rahovecit shtoi se kjo datë duhet të shënohet në kalendarin e datave historike, për shkaqe që t’i shërbejë shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, që t’i përdorin dhe dokumentojnë të gjitha krimet që kanë ndodhur nga serbët.
“Kjo datë të shënohet në kalendarin e datave historike, në një ndër më të veçantat për faktin se kjo datë duhet të ju shërbej shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë që t’i përdorin dhe dokumentojnë të gjitha krimet që kanë ndodhur në vazhdimësi”, vijoi Hoti.
Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.