Në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Prizrenit është mbajtur sot konsultim publik me qytetarë për projekt-buxhetin e komunës së Prizrenit për vitin 2023. Të pranishëm, përveç qytetarëve, ishin edhe Kryetari i Komunës Shaqir Totaj, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Antigona Bytyqi, anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, si dhe drejtori për Ekonomi e Financa, Sulltan Badalli.
Hapja e konsultimit është bërë nga Antigona Bytyqi, kryesuese e Kuvendit Komunal të Prizrenit, e cila ka thënë se organizimi i këtij konsultimi me qytetarë është mbështetur në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale të Kosovës Nr.03/L-040, Statutin e Komunës së Prizrenit Nr. 01/011-5643 të 15 tetorit 2008 si dhe nenit 6 pika 1.2 Udhëzimit Administrativ (MAPL) Nr.06/2018 për Standardet Minimale të Konsultimit Publik në Komuna dhe se një konsultim i tillë në Komunën e Prizrenit është duke u mbajtur për herë të parë.
Në pika të shkurtra prezantimin e limiteve fillestare të bazuar në qarkoren e parë buxhetore Nr.2023/1 të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve e ka bërë Sulltan Badalli, drejtor për Ekonomi dhe Financa duke thënë se granti qeveritar do të jetë 49,088,386, të hyrat vetanake 8,403,558, kurse totali i buxhetit është 57,491,944. Njoftojmë se projeksionet buxhetore mund të lëvizin deri në mbajtjen e dëgjimeve publike për Kornizen Afatmesme Buxhetore për vitet 2023-2025, dëgjime buxhetore do të mbahen pasi që të vie qarkorja e dytë buxhetore dhe përgatitja e KAB-it komunal. Njoftimet për organizimin e këtyre degjimeve do t’i merrni me kohë.
Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj ka thënë se “Mirë është që po mbajmë takime dhe pjesmarrja po më duket inkurajuese dhe se kjo është tregues që ka qytetarë që janë të interesuar të kontribuojnë për interes publik. E vërteta është se nevoja e qytetarëve të Komunës së Prizrenit, janë shumë më të mëdha se sa që janë mundësitë buxhetore të komunës, por megjithatë ne si qeveri lokale kemi obligim dhe detyrë që t’i marrim të gjitha kërkesat dhe t’i trajtojmë me prioritet në harmoni me mundësitë buxhetore”.
Qytetarët e pranishëm në këtë konsultim publik, fillimisht i falenderuan, Kryetarin dhe Kryesuesen e Kuvendit për organizimin e këtij konsultimi, pasi, sipas tyre, mirë është që të ketë më shumë konsultime që atyre, si qytetarë, t’u jepet mundësia të bëjmë pyetje dhe përgjigjet t’i marrin nga Kryetari dhe zyrtarët përgjegjës, në kohë reale. Pyetjet e qyteraërve kishin të bënin kryesisht me: rregullimin e infrastrukturës rrugore, rregullimin e ndriçimit publik, rregullimin e kanalizimeve, ujit të pijes, shëndetësisë, arsimit, vendosjen e shportave për mbeturina, mbështetjen e OJQ-ve për realizimin e projekteve të ndyshme, rregullimin e terreneve sportive si dhe rregullimin e kanaleve kulluese.
“Ky është takimi i parë dhe natyrisht do ketë përsëri konsultime, bisedime dhe do t’i analizojmë të gjitha kërkesat në mënyrë gjithë përfshirëse dhe do t’i shohim se cilat janë me të vërtetë pritoritet që prekin interesat e një numri më të madh të banorëve dhe futjen e tyre në buxhet, do të arrijmë të kontribuojmë apo të prekim një spektër më të gjerë të banorëve të territorit të Komunës së Prizrenit. Gjatë përgatitjes së buxhetit për vitin 2023, nuk do të ketë veprime preferenciale, por do të ketë veprime korrekte dhe do të udhëhiqemi me kritere, standarde të cilat kanë të bëjnë me caktimin e relevancës pse një projekt duhet të realizohet dhe pse një tjetër duhet të pres. Jam i sigurt që do të kem mirkuptim edhe nga ana juaj dhe gjithmonë do të jemi të hapur për trajtimin e kërkesave tuaja”, ka thënë kryetari Totaj.
Në fillimit të këtij konsultimi, zyrtarët nga drejtoria për Ekonomi dhe Financa, u shpërndanë materialin, në formë fizike, të projekt-buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2023, qytetarëve që ishin të pranishëm në këtë takim.