UBT News

Komuna e Prishtinës ndan mirënjohje për familjet Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha

Kryeqyteti, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe degët e tyre në Prishtinë, me rastin e 28-vjetorit të ditës së rënies së heroit Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ka ndarë mirënjohje për familjet Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha për kontributin e dhënë në çlirimin e vendit, po ashtu kanë bërë edhe nderime pran shtatores së heroit Pajaziti në Prishtinë.

Në odën e Komunës së Prishtinës, kryetari Perparim Rama derisa ka ndarë mirënjohje për familjet Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha për kontributin e dhënë në çlirimin e vendit, ka theksuar se kanë krijuar edhe një zyrë që merret pikërisht me çështjet e UÇK. Me ç’rast, Rama ka vlerësuar lartë figurat e tyre, duke theksuar se falë tyre populli shqiptar e gëzon lirinë sot.

Me këto mirënjohje siç tha Rama “modeste”, janë për të treguar që institucionalisht ata që kanë sakrifikuar për liri e paqe nuk do të harrohen asnjëherë.

“Sado pak në këtë përvjetor t’i nderojmë, t’i japim mirënjohje familjeve të heronjve tanë kombëtare, heronjve të mëdhenj të cilët kanë dhënë çdo gjë, edhe jetën e tyre që ne sot me pas vendin e lirë, në paqe dhe të mund të planifikojmë për të ardhmen tonë të lirë dhe jo të na planifikojë dikush tjetër. E kemi krijuar edhe një zyrë që merret pikërisht me çështjet e UÇK-së, me veprimet e tyre dhe mos me na lënë të harrojmë ndonjëherë diçka. Po mundohemi si institucion të nderojmë secilin që ka dhënë gjithçka, e posaçërisht si heronjtë tanë si Zahiri, Edmondi, Hakifi të cilët edhe janë vet UÇK. Familjet prej të cilave janë ardhur, ende është ajo dhimbja e madhe, mungesa e tyre, por ne tash si vend, shtet kemi të mundur përveç të planifikojmë një të ardhëm për fëmijët tanë, vendin tonë po ashtu e kemi një ndjenjë të lirisë si rezultat i sakrificës së tyre, dhe u jemi gjithmonë mirënjohës për lirinë, paqen qe e kemi sot në vend”, ka thënë Rama.

Bajram Pajaziti vëllai i heroit Zahiri Pajaziti ka falënderuar komunën për vlerësimin sa i përket atyre që sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit.

“Dua të ju falënderoj juve që keni krijuar një zyre për Shoqatën e të dalave nga lufta. Faleminderit që keni konsideratë për këto kategori. Edhe kjo është një mirënjohje jashtëzakonisht e madhe për neve familjarëve. Por, respekt të madh edhe ndaj gjithë atyre që kanë derdhur gjak, për gjithë dëshmorët e kombit”, tha ai.

28 vjet më parë ranë heroikisht tre ushtarët emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Më 31 janar 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.

Exit mobile version