Pas grevës së zhvilluar sot nga punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, Komuna e Prishtinës ka reaguar duke fajësuar menaxhmentin për situatën dhe duke e cilësuar protestën si të panevojshme.
Në një reagim të publikuar, Komuna shpreh shqetësim për atë që e quan keqpërdorim të punëtorëve për arsye politike.
“Përderisa Kryeqyteti, është duke bërë gjithcka për tejkalimin e kësaj gjendje konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm, keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë” thuhet në deklaratë.
Komuna ka bërë të ditur se ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 1.5 milionë euro me ndërmarrjen “Pastrimi”, për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike në kryeqytet.
“Kryeqyteti ka nënshkruar kontratën me Kompaninë Regjionale të Pastrimit, në vlerë prej 1.5 milion euro, për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet”, përfundon reagimi.