Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se pas një muaji është arritur marrëveshje me punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, duke i dhënë fund grevës së tyre.
Në një njoftim zyrtar, thuhet se sot është arritur dakordimi mes Komunës dhe Këshillit Grevist të “Pastrimit” për ndërprerjen e grevës që po mbahej para objektit të Komunës. Po ashtu, është bërë e ditur se në orën 16:30 do të zhvillohet një deklaratë e përbashkët për media.
Punëtorët e “Pastrimit” kishin nisur grevën që nga një muaj më parë, duke kërkuar shlyerjen e një borxhi prej 2.7 milionë eurosh, që sipas kompanisë u takon nga Komuna, një pretendim i cili është kundërshtuar nga zyrtarët komunalë. Përveç kësaj, ata kërkonin edhe ndalimin e operatorëve privatë për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.
Fillimisht, grevistët kishin bllokuar rrugën përpara ndërtesës së Komunës me kamionët e tyre, por më pas i hoqën automjetet dhe vazhduan grevën duke qëndruar në oborrin e objektit.
Gjatë periudhës së grevës, shumë lagje të Prishtinës mbetën pa pastrim, duke shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët. Komuna kishte premtuar zgjidhje për këtë situatë, e cila duket se është arritur me marrëveshjen e fundit.