UBT News

Komuna e Deçanit shpall gjendje emergjente

Komuna e Deçanit ka marrë vendim që të shpallet gjendje emergjente në këtë komunë pasi qindra qytetarë janë helmuar. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Në vendimin e komunës thuhet se “obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente të ndodhur pas helmimit të fundit”.

Komuna ka marrë vendim po ashtu që të ndahen 5 mijë euro të cilat do të dedikohen për nevojat e terapisë së qytetarëve të cilët po përballen me epideminë e shfaqur ditëve të fundit në komunën e Deçanit.

Që nga e shtuna e deri të hënën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan, kanë kërkuar ndihmë mjekësore 823 pacientë prej të cilëve 428 kanë qenë me simptoma të njëjta, e të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm. Gjatë së hënës është rritur edhe numri i fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë në këtë institucion primar shëndetësor./UBTNews

Exit mobile version