Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës, të cilët do të financojnë këtë komunë për vazhdimin e projekteve në vlerë të 300 mijë euro.
Kështu ka thënë gjatë seancës së Kuvnedit Komunal, drejtoresha për buxhet dhe financa, Dafina Cacaj. Sipas saj, kompania është e gatshme për të përfunduar rrugët në shumicën e fshatrave dhe katër urat.
“Rrugët janë duke u përfunduar, besoj që deri në fund të vitit. Dje, kryetari ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës për vazhdimin e projekteve për llotin tre në vlerë të 300 mijë euro, ata do ta financojnë komunën këtë vit, kompania është e gatshme që me punu, deri në atë vlerë me i përfundua ndoshta shumicën e fshatrave dhe janë katër urat që të dërgojnë për oshkodran dhe parku i qytetit që vetëm janë duke vazhduar dhe besoj që kompania është e gatshme me e përfunduar projektin dhe t’i siguroj mjetet”, ka thënë ajo.
Ndërsa te kategoria e buxhetit për sivjet, Cacaj ka shtuar se planifikimi i hershëm i buxhetit është sjellë në komunë në vija të trasha.
Cacaj ka theksuar se buxheti është rritur gjysmë milioni më shumë, e cila nuk është ndonjë rritje e madhe dhe do të jetë problem të mbulohen minusi i pagave që është planifikuar në planin e buxhetit për këtë vit. Ajo shpreson se si komunë do të mund t’ia dalin edhe këtë vit.
“Grantin e përgjithshëm e kemi 6 milionë e 723 mijë, grandin për arsim rreth 4 milionë, për shëndetësi rreth 1 milion dhe shërbimet rezidenciale i kanë 200 mijë. Për dallim nga viti 2024, nuk kemi ndonjë rritje shumë të madhe, gjysmë milioni, që është pak telashe me i mbulu edhe minusin e pagave që e kemi pasur në planifikim të buxhetit për këtë vit, që fillimisht na ka ardhur në qarkoren e dytë koeficienti 105, ndërsa gjatë planifikimit është dashtë që ta bëjmë me 110. Tash kur të fillojmë me e bë buxhetin, besoj që mundemi me ia dalë disi edhe sivjet”, ka shtuar ajo.
Seanca ka vazhduar duke miratuar pikat e rendit të ditës.