Kompozitori kosovar Xhevdet Gashi është nderuar në Kalabri me titullin “Artist i Merituar i Arbërisë”, në kuadër të Çmimit Ndërkombëtar “Morea”.
Vlerësimi iu dha gjatë edicionit të 43-të të “Rassegna del Costume e della Cultura Arbëreshe”, të mbajtur në Vaccarizzo Albanese, një prej qendrave të komunitetit arbëresh në Itali.
Gjatë ceremonisë, Gashi tha se ky vlerësim ka një domethënie të veçantë për të, pikërisht sepse vjen nga një komunitet që prej shekujsh ka ruajtur gjuhën, traditat dhe identitetin arbëresh.
Kompozitori e cilësoi dekoratën jo vetëm si një vlerësim personal, por edhe si një urë lidhëse mes shqiptarëve dhe arbëreshëve.
“Këtë dekorim nuk e marr vetëm si shpërblim për vete, por si një urë lidhëse midis arbëreshëve dhe shqiptarëve përtej detit”, u shpreh Gashi.
Manifestimi në Kalabri bashkoi muzikën, artin dhe trashëgiminë kulturore, duke vënë në pah përpjekjet e vazhdueshme të komunitetit arbëresh për ruajtjen e identitetit të tij ndër shekuj.
Në përmbyllje të fjalës, Gashi përcolli një urim simbolik: “Ju faleminderit edhe një herë dhe të rrojë Arbëri./A.K/
