UBT News

Kompleksiteti i de-përshkallëzimit

Në dy dekadat e fundit, Kosova edhe pse arriti lirinë dhe pavarësinë e saj, u përball me shumë vështirësi në shtrirjen e sovranitetit në territorin problematik në veriun e vendit.

Veriu i Kosovës sot po përballet egërsisht përpara situatave kritike të sigurisë, para së gjithash kjo situatë përbën sfidë përtej sigurisë nacionale, duke vënë në lëvizje shumë faktorë për të menaxhuar, rrjedhimisht për ta rikthyer në pozicionin paraprak dhe mëtutje drejt normalizimit të sovranitetit funksional të shtetit të Kosovës.

Në një situatë të krijuar të de-funksionalizmit të institucioneve të shtetit të Kosovës në njërën anë, dhe trysnisë represive, kërcënuese të Serbisë me struktura kriminale, gjoja në emër të mbrojtjes së serbëve lokal nga pasiguria, duke u larguar nga të gjitha institucionet kosovare, duke bllokuar rrugët, terrorizuar qytetarët me armë zjarri, bomba, mjete eksploduese, metoda frikësimi, etj, sikurse të pandaluara ripërsëriten deklaratat zyrtare nga Serbia se Kosova dhe Serbia janë në prag të një konflikti të armatosur, po shpërfaqin edhe më shumë minimin e përpjekjeve për Paqe dhe Siguri në Ballkan.

Përshkallëzimi i një konflikti të mundshëm mbetet gjithnjë temë komplekse, jo për faktin e pamundësisë së eskalimit, por për shkak të kompleksitetit dhe konsekuencat që bart ky lloj përshkallëzimi drejt një eskalimi me karakter të invazionit ushtarak.

Provokimet e tilla që vijnë në mënyrë të sinkronizuar nga Serbia, po bëhen gjithënjë e më të patolerueshme për shtetin e Kosovës, misionin e NATO-së si forcë paqëruajtëse dhe garantuese e lirisë së lëvizjes dhe krijimit të mirëbesimit drejt të ardhmes.

Përpjekjet diplomatike përmes metodave të ndrydhme dhe negociatave maratonike, që zgjidhja për veriun të arrihet sipas parimit të kompromisit, duket të kenë humbur sensin strategjik të karakterit të shtetit unitar për ta rikthyer veriun si temë më kryesore përpara kryetemës, që u duk të ishte në fazën finale për njohjen e ndërsjellë.

Mosdurimit duket se po i vie fundi. Në këtë situatë komplekse të sigurisë, detyrat e shtetit, organeve të sigurisë, duhet të jenë të ndërveprueshme, të koordinuara në aspektin operativ dhe taktik me NATO-n për të përballuar dhe tejkaluar këtë problem mjaft kritik. Mbylljet e rrugëve përmes barrikadave, duhet larguar dhe shteti duhet të garantoj lirinë e lëvizjes për qytetarët, si e drejtë fundamentale e tyre.

Përmasat e de-përshkallzimit janë evidente, sikurse zotimi i mostolerimit dhe seriozitetit të organeve të sigurisë. NATO-ja përmes KFOR-it dhe Policia e Kosovës janë në fazën finale të zbatimit të veprimeve që mundësojnë de-bllokimin e rrugëve dhe pastaj të rinisin negociatat në një klimë më të relaksuar për ta rikthyer në tavolinë, kushtimisht normalitetin e bisedimeve sipas planit franko-gjerman.

Është koha e fundit për efikasitetin e përgjegjësve të sigurisë për ta marrë mbështetjen politike vendore e ndërkombëtare për t’i dhënë shpresë normalitetit dhe sovranitetit në veriun e Kosovës. Partneriteti strategjik i Kosovës me aleatët e sigurisë, duhet mënjanuar çdo situatë të vazhdimit në paqartësi të tepruar të veprimeve kriminale në Veri.

Raporti i ndërtuar i shtetit të Kosovës me NATO-n, koordinimi me ShBA-të dhe vendet partnere mike, duhet dhënë efektet ndaj kësaj krize se ekziston kohë dhe bazë e mjaftueshme e tolerimeve, karshi një mendësie të shekullit të kaluar, për të marrë veprime operacionale policore dhe ushtarake të KFOR-it, për rikthimin e gjendjes në normalitet. Hetimi gjithpërfshirës i akterëve dhe grupeve kriminale që shkaktuan rrezikim të tërësisë territoriale të Kosovës, duke e atakuar dhe vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e sovranitetit të shtetit të Kosovës me veprime inkriminuese në veri të Kosovës, duhet para së gjithash si masë urgjente e organeve të drejtësisë.

Shënim:

(Autori është doktor shkence, profesor në Fakultetin për Studime të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i Politikave të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës)

Exit mobile version