Apple, Google dhe kompani të tjera të mëdha në të gjithë botën po vazhdojnë të shtojnë grumbuj të mëdhenj para të gatshme, një shenjë se korporatat janë gjithnjë e më të shqetësuara se si varianti shumë ngjitës Delta i Covid-19 mund të dëmtojë ekonominë globale, transmeton UBT News.
Kompanitë më të mëdha jofinanciare në botë kishin një rekord prej 6.85 trilionë dollarë në para cash në bilancet e tyre deri në fund të tremujorit të dytë, sipas të dhënave nga S&P Global Ratings. Totali i tremujorit të dytë është rritur pak nga fundi i vitit 2020.
Gareth Williams, kreu global i kërkimit të korporatave për S&P Global Ratings, vlerëson se niveli i parave të gatshme mund të arrijë në 7.1 trilion dollarë deri në fund të vitit.
Apple, Microsoft dhe pronari i Google, Alphabet Inc., kanë një kombinim prej 460 miliardë dollarësh në para të gatshme në bilancet e tyre. Amazon ka gati 90 miliardë dollarë. Facebook gjithashtu ka më shumë se 64 miliardë dollarë.
Por nuk janë vetëm ‘titanët’ e teknologjisë ata që grumbullojnë para të gatshme, përcjell UBT News.
Berkshire Hathaway i Warren Buffett ka një ‘mal gjigant’ parash që po rritet edhe më shumë ndërsa kompania përpiqet të gjejë më shumë mundësi investimi. Berkshire Hathaway kishte 144.1 miliardë dollarë në bilancin e saj deri në fund të qershorit, nga 138.3 miliardë dollarë në dhjetor.
Fakti që shumë prej këtyre kompanive po ndërtojnë rezervat e tyre në para cash është pjesërisht për shkak të shqetësimit për gjendjen e tregjeve dhe ekonomisë./UBTNews