Sipas një sondazhi të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Gjermanisë (DIHK), më shumë se gjysma e kompanive gjermane që kryejnë aktivitet jashtë vendit kanë hasur në barriera tregtare shtesë kohët e fundit. Këto pengesa përfshijnë kërkesa të shtuara për siguri dhe sanksione, që po e bëjnë punën e eksportuesve edhe më të vështirë.
Një shqetësim i veçantë ka të bëjë me zhvillimet tregtare në SHBA, ku administrata e Presidentit Donald Trump ka nxitur një politikë proteksioniste, duke krijuar vështirësi për kompanitë gjermane. Sipas Drejtorit të Drejtorisë për Tregtinë e Jashtme në DIHK, Volker Treier, pengesat tregtare në rritje dhe qëndrimet proteksioniste nga Uashingtoni po ndikojnë negativisht në bizneset gjermane, duke përfshirë mosmarrëveshjet tregtare me BE-në, Kinën, si dhe me fqinjët e SHBA-së, Kanada dhe Meksikën.
Në sondazh, 70% e kompanive gjermane të anketuara shprehën shqetësimin se politika tregtare e SHBA-së do të ketë efekte negative për bizneset e tyre. Vitin e kaluar, SHBA ishte një treg me mundësi për kompanitë gjermane, por tani situata është përkeqësuar, sidomos për ato që kanë aktivitete në këtë vend.
Për më tepër, DIHK ka shprehur frikën se, pas njoftimit për tarifat shtesë prej 25% për importet e makinave, eksportet gjermane mund të pësojnë një rënie edhe më të theksuar në vitin 2025./UBTNews/