UBT News

Kompanitë e mëdha pezulluan punën në Rusi

MOSCOW REGION, RUSSIA - JULY 20, 2016: A view of Ford dealership and service center. Artyom Geodakyan/TASS (Photo by Artyom GeodakyanTASS via Getty Images)

Shumë kompani të mëdha kanë pezulluar veprimtarinë e tyre në Rusi si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Eksodi preku çdo cep të ekonomisë, nga pasuritë e saj të mëdha energjetike përmes makinave, financave, shitjes me pakicë, argëtimit dhe ushqimit të shpejtë, duke e shtyrë Rusinë për investime të reja dhe duke hequr produktet dhe shërbimet që ishin bërë të njohura në dekada që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Kompanitë automobilistike

Ford njoftoi se po pezullon veprimtarinë e saj në Rusi. Prodhuesi amerikan i automjeteve ka 50% të aksioneve në Ford Sollers, një sipërmarrje e përbashkët që punëson të paktën 4 mijë punëtorë dhe është e ndarë me kompaninë ruse Sollers.

Kompania ka fabrika në Shën Petersburg, Elabuga dhe Naberezhnye Chelny, por tha se ka “pezulluar ndjeshëm” operacionet e saj në Rusi vitet e fundit. Prodhuesi i automjeteve tha se është “thellësisht i shqetësuar për situatën në Ukrainë” dhe se ka “një kontigjent të fortë shtetasish ukrainas që punojnë në Ford në mbarë botën”.

Nga General Motors thanë se do t’i ndalin të gjitha eksportet drejt Rusisë deri në njoftimin e ardhshëm. GM nuk ka fabrika atje: ajo shet vetëm rreth 3 mijë automjete në vit përmes 16 përfaqësive, sipas një zëdhënësi.

Toyota (TM) njoftoi se do të pezullojë prodhimin e veturave në Rusi dhe importimin e tyre “deri në njoftimin e radhës, për shkak të ndërprerjes së zingjirëve të furnizimit”.

Volkswagen (VLKAF) ndaloi prodhimin e veturave në Rusi dhe suspendoi eksportin në marketet ruse. Vendimi vlen për vendet e prodhimit rus sikurse Kaluga dhe Nizhny Novgorod.

Nissan (NSANF) pezulloi eksportin e veturave në Rusi, duke shtuar se “do të ndalet prodhimi në Shën Petersburg”.

Aviacioni

Boeing (BA) pezulloi mbështetjen për linjat ajrore ruse. Një zëdhënës i kompanisë konfirmoi se prodhuesi i avionit ndaloi “pjesët, mirëmbajtjen dhe shërbimet e mbështetjes teknike për linjat ajrore ruse”, dhe gjithashtu “pezulloi operacionet kryesore në Moskë dhe mbylli përkohësisht zyrën tonë në Kiev”.

Të njëjtin hap e mori edhe Airbus (EADSF). Në një deklaratë, kompania tha se “pezulloi shërbimet mbështetëse për linjat ajrore ruse.

Kompanitë teknologjike

Apple (AAPL) ndaloi shitjen e produkteve të saj në Rusi. Gjiganti teknologjik përmes një prononcimi tha se është “thellësisht i shqetësuar” për pushtimin rus. Po ashtu, si kundërpërgjigje kompania limitoi qasjen në shërbimet dixhitale në Rusi, si për shembull me Apple Pay dhe kufizoi disponueshmërinë e mediave ruse jashtë vendit.

Facebook (FB) – kompania amë Meta bllokoi qasjen në mediat ruse sikurse Sputnik dhe RT, rrjeti televiziv i mbështetur nga Rusia, famëkeq për promovimin e agjendës së presidentit rus, Vladimir Putin, në të gjithë Bashkimin Evropian. Lëvizja erdhi pasi kompania pranoi disa kërkesa nga një numër qeverish dhe Bashkimi Evropian për të ndërmarrë masa në lidhje me mediat ruse të kontrolluara nga Rusia.

Edhe Twitter (TWTR) ka njoftuar në mënyrë të ngjashme planet për të “zvogëluar dukshmërinë dhe përforcimin” e përmbajtjes së medias shtetërore ruse.

Netflix (NFLX) pezulloi shërbimin e transmetimit në Rusi, por detajet tjera nuk u bënë të ditura.

“Duke marrë parasysh rrethanat në të cilat jemi, kemi vendosur të pezullojmë shërbimin në Rusi”, i tha një zëdhënës i Netflixit CNN-it.

Kompania refuzoi t’i transmetojë kanalet televizive ruse – diçka që plaftormës do i ishte kërkuar ta bënte duke filluar nga kjo javë sipas ligjit rus.

Spotify (SPOT) njoftoi se i mbylli zyret e saj në Rusi për një kohë të pacaktuar dhe kufizoi përmbajtjet në mediat ruse.

Shërbimi i transmetimit fshiu të gjithë përmbajtjen nga RT dhe Sputnik në Evropë dhe regjionet tjera, konfirmoi një zëdhënës i kompanisë.

“Jemi thellësisht të shokuar dhe të pikëlluar nga sulmi i paprovokuar në Ukrainë. Prioriteti ynë i parë gjatë javës së fundit ka qenë siguria e punëtorëve tanë dhe të sigurojmë se Spotify vazhdon të shërbejë si një burim i rëndësishëm i informatave globale dhe rajonale në një periudhë kur qasja në informacione është më e rëndësishme se kurrë”, thuhet në njoftim.

Roku (ROKU), i cili shet pajisje që i lejon përdoruesit të transmetojnë përmbajtje përmes internetit, ka ndaluar RT në mbarë botën.

YouTube, nën pronësi të Google (GOOGL), tha se i bllokoi mediat shtetërore ruse brenda Ukrainës, përfshirë edhe RT. Kjo platformë tha se do të kufizojë ndjeshëm rekomandimet për këto kanale. Google dhe YouTube thanë se nuk do t’i lejojnë mediat shtetërore ruse të shfaqin reklama ose të fitojnë para nga përmbajtja e tyre.

Themeluesi i Airbnb, Brian Chesky tha në një postim se kompania e tij do të suspendojë të gjithë veprimtarinë në Rusi dhe Bjellorusi.

Intel (INTC) ka ndaluar të gjitha dërgesat në Rusi dhe Bjellorusi, njoftoi kompania.

Microsoft (MSFT) tha se po pezullon të gjitha shitjet e reja të produkteve dhe shërbimeve të saj në Rusi. Presidenti dhe nënkryetari, Brad Smith tha gjithashtu se kompania po ndalon “shumë aspekte” të biznesit të saj në Rusi në përputhje me sanksionet e qeverisë. Microsoft tha gjithashtu se do të vazhdojë të ndihmojë në sigurinë kibernetike të Ukrainës.

Drejtori i Përgjithshëm i IBM, Arvind Krishna, tha se kompania ka pezulluar të gjithë biznesin në Rusi.

“Në Ukrainë, kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me ekipet tona lokale dhe vazhdojmë të ofrojmë ndihmë që përfshin zhvendosjen dhe mbështetjen financiare. Siguria e përdoruesve të IBM-së dhe familjeve të tyre në të gjitha fushat e prekura nga kjo krizë mbetet prioriteti ynë kryesor”, deklaroi ai.

Divizioni cloud i Amazon (AMZN), Amazon Web Services, që nga 8 marsi ndaloi regjistrimet e reja në Amazon në Rusi dhe Ukrainë. Kompania ka tashmë një “politikë të gjatë për të mos bërë biznes me qeverinë ruse” dhe nuk ka qendra të dhënash, infrastrukturë apo zyra në Rusi, tha kompania në një postim në blog.

Konsulenca

Accenture ndëpreu biznesin e saj në Rusi dhe u solidarizua me popullin e Ukrainës. Kompania mori këtë vendim më 3 mars, ku falënderoi rreth 2 mijë e 300 kolegët e saj në Rusi për përkushtimin dhe shërbimin e tyre ndaj kompanisë gjatë viteve.

Në një lëvizje të ngjashme, Deloitte njoftoi më 7 mars për pezullimin e veprimtarisë në Rusi dhe Bjellorusi.

EY, i njohur ndryshe si Ernst & Young, tha gjithashtu se do të heqë Rusinë nga rrjeti i saj zyrtar global, por do ta lejojë atë të “vazhdojë të punojë me klientët si një grup i pavarur kompanish auditimi dhe konsulence”.

Firma e konsulencës dhe kontabilitetit KPMG International tha se “firmat e saj nga Rusia dhe Bjellorusia do të largohen nga rrjeti i KPMG”.

PricewaterhouseCoopers (PwC) po planifikon gjithashtu të shkëputet nga biznesi i saj rus.

“Si rezultat i pushtimit të Ukrainës nga qeveria ruse, ne kemi vendosur që sipas rrethanave, PwC nuk duhet të ketë një firmë anëtare në Rusi dhe rrjedhimisht PwC Rusia do të largohet nga rrjeti”, tha në një deklaratë konsulenca “Big Four”.

Përveç këtyre edhe shumë kompani të tjera pezulluan punën në Rusi./UBTNews/

Exit mobile version