UBT News

Kompania vietnameze e veturave do të prodhojë vetura elektrike në Karolinë të Veriut

Një kompani vietnameze e veturave njoftoi të martën rreth planeve të saj për të ndërtuar një fabrikë në Karolinën e Veriut për prodhimin e automjeteve elektrike, duke premtuar se do të ofrojë 7 mijë e 500 vende pune.

VinFast do të ndërtojë fabrikën e saj të parë në Amerikë të Veriut, saktësisht në Chatham County në jugperëndim të Raleigh, ndërsa prodhimi pritet të fillojë në vitin 2024. Pritet që kompania të punësojë 7 mijë e 500 njerëz deri në vitin 2027 me paga mesatare prej 51 mijë dollarë, sipas Departamentit të Tregtisë së shtetit.

“Projekti transformues i VinFast do të sjellë shumë vende pune në shtetin tonë, së bashku me një mjedis më të shëndetshëm, pasi me prodhimin e automjeteve elektrike do të reduktojmë emetimet e gazrave serrë”, tha në një deklaratë guvernatori Roy Cooper.

Kompania pritet të investojë 4 miliardë dollarë në ndërtimin e uzinës./UBTNews/

Exit mobile version