UBT News

​Kompania “Trepça” kërkon kthimin e pronave

Ndërmarrja publike “Trepça” kërkon nga të gjitha subjektet që janë duke i shfrytëzuar pronat e kësaj ndërmarrje që ta kontaktojnë menaxhmentin brenda një afati kohor prej 30 ditësh.

Kjo kompani njofton se menaxhmenti ka kërkuar që subjektet e ndryshme që, ‘me apo pa vetëdije janë duke i shfrytëzuar pronat e saj, ta kontaktojnë deri më 10 korrik të këtij viti’.

“Kërkojmë nga të gjitha subjektet juridike dhe fizike, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjitha subjektet tjera që me apo pa dijeni janë duke i shfrytëzuar pronat e paluajtshme të “Trepça Sh.A.”, që në afatin 30 ditor (deri më 10.07.2024) të na kontaktojnë në zyrat tona në objektin e menaxhmentit (Parku industrial në Mitrovicë)”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se menaxhmenti i tanishëm është duke u angazhuar me seriozitetin maksimal në ringritjen e saj drejt një gjiganti ekonomik.

“Po punojmë në rishikimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për rivitalizimin e Trepçës si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik. Në të njëjtën kohë së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe zyrat regjionale kadastrale jemi duke siguruar dëshmi për pronësinë e “shoqërisë”. Të gjitha këto prona do t’i kthehen në shfrytëzim ndërmarrjes, me ç’rast disa prej tyre do t’i lëshojmë me qira e disa do t’i përdorim për zhvillimin e kapaciteteve të reja”, thuhet në njoftimin e “Trepça”.

Exit mobile version