UBT News

Kompania “Pastrimi” rifillon largimin e mbeturinave në Prishtinë pas ndërprerjes së grevës

Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka rifilluar punën në terren për largimin e mbeturinave në të gjitha zonat që mbulon me shërbime, pas një ndërprerjeje të përkohshme që zgjati rreth një muaj.

Sipas njoftimit të kompanisë, puna ka rinisur të martën në mbrëmje me ndërrimin e tretë, duke u përqendruar fillimisht në zonat më të ndjeshme dhe të ngarkuara me mbeturina. Ekipet janë angazhuar me kapacitete të plota për të rikthyer pastërtinë dhe higjienën në hapësirat publike sa më shpejt të jetë e mundur.

“Pastrimi” thekson se mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj për të ofruar shërbime të rregullta dhe cilësore, duke u udhëhequr nga përgjegjësia publike dhe respekti ndaj qytetarëve. Kompania falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin gjatë periudhës së vështirë dhe kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm në ruajtjen e pastërtisë.

Kujtojmë se ndërprerja e shërbimit erdhi si pasojë e një greve të punëtorëve, që protestuan për shkak të borxheve prej 2.7 milionë eurosh që Komuna e Prishtinës i kishte ndaj kompanisë. Më 22 maj, rreth 300 punëtorë bllokuan hyrjen e komunës me rreth 20 kamionë në shenjë proteste.

Marrëveshja për ndërprerjen e grevës u arrit së fundmi mes Komunës së Prishtinës dhe Këshillit Grevist të “Pastrimit”, por kjo nuk u formalizua me dokument të nënshkruar.

Exit mobile version