UBT News

Kompania nga Florida po planifikon t’i dërgojë pasagjerët në hapësirë me një tullumbace me ajër të nxehtë

Një kompani nga Florida po planifikon t’i dërgojë pasagjerët e saj në hapësirë me një tullumbace me ajër të nxehtë, me një version të teknologjisë së lartë. Në udhëtim do të marrin pjesë një pilot dhe deri në tetë udhëtarë.

Kompania Space Perspective tani ka filluar me rezervime për udhëtim në hapësirë me anijen kozmike Neptune. Udhëtimet pritet të realizohen në fillim të vitit 2024, ndërsa bileta kushton 125 mijë dollarë për person.

“Ne jemi të përkushtuar për të ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si njerëzit kanë qasje në hapësirë ​​- si për të kryer kërkime aq të nevojshme për jetën në Tokë dhe për të ndikuar në mënyrën se si ne e shohim dhe lidhemi me planetin tonë”, tha themeluesi i Space Perspective, Jane Poynter, vitin e kaluar.

Ndërsa fluturimet e para do të realizohen nga Florida, kompania po planifikon që të realizojë fluturime edhe nga vende tjera.

Ky udhëtim gjashtë orësh do të realizohet mbi 99% të atmosferës së Tokës. Pastaj pasagjerët do të kenë mundësi t’i shijojnë pamjet 360 shkallë nga kabina, përpara se anija kozmike të zbresë në oqean. Kurse udhëtimi në breg do të përfundojë me anije.

Anija kozmike është dizajnuar në bashkëpunim me studion britanike, PriestmanGoode. Kapsula është me diametër pesë metra, ndërsa tullumbacja polietileni sipër ka një diametër 100 metra kur fryhet plotësisht, sa gjatësia e një fushe futbolli.

Kompania thotë se fluturimi do të jetë po aq i thjeshtë sikurse fluturimet me aeroplan./UBTNews

Exit mobile version