Në ditët e fundit, Kosova është përfshirë nga një valë spekulimesh lidhur me praninë e rrjetit të marketeve “Lidl” në vend. Pas paralajmërimeve të bëra në prill të këtij viti për hapjen e dyqanit të parë në Kosovë, situata ka krijuar konfuzion, duke sjellë edhe raporte të pavërteta për tërheqjen e kompanisë nga plani i saj për të investuar në tregun kosovar.
Megjithatë, “Lidl” ka reaguar ndaj këtyre spekulimeve në një përgjigje për Zëri.info, duke konfirmuar se janë të vetëdijshëm për informatat që qarkullojnë rreth tyre dhe se po vazhdojnë të analizojnë kushtet e tregut. Ajo që është e rëndësishme është se kompania ka regjistruar një përfaqësi në Kosovë, e cila është një hap i rëndësishëm drejt hapjes së dyqaneve në të ardhmen.
“Është e saktë që aktualisht jemi duke analizuar tregun në Kosovë dhe se është regjistruar një përfaqësi. Ju lutemi kuptoni se ne nuk mund të bëjmë deklarata konkrete në lidhje me vendndodhjet e mundshme të dyqaneve ose datat e hapjes në këtë moment,” citohet nga përgjigja e “Lidl”.
Kujtojmë se gjatë vitit 2022, një delegacion i “Lidl” vizitoi Kosovën, ku ministrja e Tregtisë dhe Industrisë propozoi tri lokacione si të përshtatshme për investim. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur asnjë hapje dyqani, duke sugjeruar se analiza e tregut vazhdon.
“Lidl” GmbH & Co KG është një zinxhir ndërkombëtar gjerman i shitjeve me pakicë që operon mbi 11,000 dyqane në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Prania e saj në Kosovë pritet të sjellë konkurrencë dhe mundësi të reja për konsumatorët, si dhe përmirësim në ofertën e produkteve dhe shërbimeve.
Tani më shumë se kurrë, të gjithë sytë janë kthyer nga “Lidl”, duke pritur me padurim zhvillimet e ardhshme që do të sjellin në tregun kosovar./UBTNews/