Kukullat e famshme Labubu po i sjellin një pasuri të madhe krijueses së tyre, kompanisë kineze të lodrave Pop Mart. Për gjysmën e parë të këtij viti, fitimet e kompanisë janë rritur me 350%, ndërsa të ardhurat janë më shumë se trefishuar.
Kukullat, që shiten për 10 deri 15 dollarë, janë bërë të famshme jo vetëm për pamjen e tyre me tipare të mprehta që krijojnë përshtypjen e magjistarëve, por edhe për strategjinë e suksesshme të Pop Mart, e cila ka lidhur partneritete me yjet e showbizit si: Rihanna, Dua Lipa, Kim Kardashian, që shfaqen në rrjetet sociale duke i mbajtur ato si aksesorë.
Një tjetër faktor i rritjes së menjëhershme të popullaritetit është shitja përmes kutive-surprizë, ku blerësit nuk e dinë se çfarë kukulle do të marrin derisa hapin kutinë. Kjo strategji i ka kthyer kukullat në një trend masiv, sidomos në SHBA, ku shitjet janë rritur me 5,000%.
Një kukull Labubu në përmasa njerëzore u shit për 150,000 dollarë në një ankand në Pekin. Fenomeni ka nxitur edhe një treg të zi, ku vetëm në qershor janë sekuestruar mbi 46,000 kopje të falsifikuara.