Komiteti i posaçëm i Kombeve të Bashkuara ka akuzuar Izraelin për përdorimin e metodave lufte që përkojnë me karakteristikat e gjenocidit gjatë operacioneve të tij ushtarake në Rripin e Gazës. Në një raport të publikuar më 14 nëntor 2024, komiteti theksoi se veprimet e Izraelit, përfshirë “përdorimin e urisë si metodë lufte” dhe shkatërrimin e shërbimeve themelore, po shkaktojnë një katastrofë të madhe humanitare dhe mjedisore në këtë rajon.
Komiteti, i cili ka hetuar për dekada shkeljet e të drejtave të njeriut në territoret palestineze, shprehu shqetësimin e tij për numrin e madh të viktimave civile dhe kushtet e jetesës për palestinezët. Sipas raportit, Izraeli ka shkaktuar vdekje, uri dhe lëndime të rënda përmes rrethimit të Gazës, pengimit të ndihmave humanitare dhe sulmeve të shënjestruara, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga OKB-ja dhe urdhrave të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në raport, Komiteti i OKB-së tha se metodat e luftës që përdor Izraeli “përkojnë me karakteristikat e gjenocidit”, duke përfshirë përdorimin e urisë si një “armë” dhe ndëshkimin kolektiv të popullsisë palestineze. Dëshmitë nga terreni tregojnë se veriu i Gazës është përfshirë nga një situatë ekstreme urie, e cila po përkeqësohet me kalimin e kohës.
Një tjetër çështje e ngritur nga komiteti është shkatërrimi i infrastrukturës thelbësore të Gazës, përfshirë sistemet e ujit, kanalizimeve dhe furnizimin me ushqime. Raporti nënvizon se bombardimet ajrore izraelite kanë shkatërruar mbi 25,000 tonë mjete shpërthyese, një sasi që është e barabartë me dy bomba bërthamore, duke shkaktuar një krize mjedisore dhe shëndetësore që do të ketë pasoja afatgjata për brezat e ardhshëm.
Komiteti shprehu gjithashtu shqetësim për përdorimin e inteligjencës artificiale nga Izraeli për avancimin e sistemeve të tij të shënjestrimit gjatë operacioneve ushtarake. Ky përdorim i teknologjisë ka ngritur pyetje rreth ndikimit të saj në shkallën dhe precizitetin e sulmeve, që shpesh kanë shënjestruar civilët dhe objektet civile.
Në fund, Komiteti i OKB-së bëri thirrje për një reagim urgjent nga shtetet e tjera për të ndërprerë luftën dhe për të ushtruar presion ndaj Izraelit, duke theksuar se disa shtete po vazhdojnë të ofrojnë mbështetje ushtarake dhe ndihmë tjetër, pavarësisht shkeljeve të drejta të njeriut dhe shkatërrimeve të shkaktuara në Gaza./REL/