UBT News

Komisioni për siguri diskuton për mbylljen e Tiktok-ut

Për mundësinë e mbylljes së rrjetit social Tiktok është diskutuar të mërkurën në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ky diskutim është bërë me kryetaren e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku.

Deputetët, nga pozita dhe opozita, kanë përmendur rreziqet që po vinë nga kjo platformë.

Deputeti i LVV-së, Dimal Basha, pyeti për mundësitë, siç tha ai, për ta “shtrënguar punën e Tiktok-ut”.

“Cilat janë mundësitë tona për ta shtrënguar këtë punën e TikTokut, pasi e dini ka qenë shqetësim i jashtëzakonshëm. Ka vende të ndryshme evropiane kur kërkohet letërnjoftimi i personit në fjalë ku kërkohet të hapet llogaria. Kjo eviton mundësinë e hapjes së llogarive të fëmijëve të mitur, po flas nën moshën 16 vjeçare… Është edhe një kërkesë për me mbyllë, por ndoshta mundet me shpjegu nëse këto rrjete sociale nuk i respektojnë rregullat e vendit, cila është mundësia me mbyllë komplet?”, pyeti ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha tha se kjo platformë është “jashtë kontrollit”.

“Tash janë bërë shumë aplikacione, shumë rrjete. Tik-Toku është njëri prej rrjeteve që po duket se është jashtë kontrolli dhe është më i dëmshme. Nëse ShBA-të ndihen të rrezikuar nga Tik-Toku, atëherë Kosova e vogël natyrisht se do të jetë. Ne duhet të mendojmë këtu për reduktimin e tij ose ndalimin e tij. Duhet të mendojmë si shtet në këtë formë”, tha ai.

Mirëpo, komisionerja Sogojeva tha se mbyllja e kësaj platforme sociale nuk është kompetencë e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, por e qeverisë.

Por ajo theksoi se me Tik-Tokun kanë arritur një marrëdhënie bilaterale, ku janë rritur politikat e privatësisë.

Ajo shtoi se problematikë vazhdon të jetë mungesa e domenit zyrtar të Kosovës në këto platforma.

“Sa i përket Tik-Tokut, kemi krijuar marrëdhënie bilaterale me ta. Kemi rritur moshën, politikat e privatësisë. Ta keni parasysh se te çështjet e platformave sociale në Kosovë, te problemi bazik është mungesa e domenit të Kosovës, domen zyrtar. Kemi shumë përdorues që operojnë në Kosovë por operojnë edhe jashtë në vende të tjera…Në flasim si shtet me ndalu apo mos me ndalu kjo nuk është në kompetencat e Agjencisë, por duhet të vendosë shteti”, tha ajo.

Në këtë mbledhje, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes e ka miratuar planin e performancës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2025.

Komisionerja, Krenare Sogojeva-Dermaku, para deputetëve tha se prioritet e agjencisë është mbrojtja e të dhënave personale.

Sipas saj, një gjë e tillë do të arrihet përmes shtimit të inspektimeve dhe ngritjes së kapaciteteve.

“Objektivi i parë është avancimi i mekanizmave për mbrojtjen e të dhënave personale përmes inspektimeve dhe ngritjes së kapaciteteve përmes ekspertizës së agjencisë. Ky objektiv parasheh rritjen e numrit të inspektimeve, plotësimin e kornizës ligjore për mbrojtjen të dhënave personale për institucionet ligj zbatuese”, tha ai.

Në këtë mbledhje, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha përmendi edhe rastin e presidentes Osmani kur kishte bërë një operacion në Turqi, që sipas tij, nuk e kishte autorizuar askënd të jetë në detyrë të presidentit, siç përcaktohen ligji.

Deputeti opozitar tha se pasi e kishte paraqitur këtë shkelje i është kërkuar nga Agjencia që të paraqes raportin për një pretendim të tillë.

Kjo nxiti edhe pakënaqësi tek anëtarët e tjetër të komisionit, të cilët thanë se deputeti Berisha po flet jashtë rendit të ditës së përcaktuar.

“[Presidentja Osmani]Ajo nuk e ka bërë, nuk e ka autorizuar askënd që ti prej kaq minuta je[në detyrë]. Presidenti Biden ka hy 15 minuta në operacion, dy ditë e ka autorizuar zëvendëspresidentin. Kur doli kjo në publik, më thirrën dikush prej këtyre agjencive dhe tha a mund ta sjellësh raportin prej spitalit të Turqisë, unë thash se s’mundem. Atëherë më tha se po e bëjmë fake-news, e iu thash bëjeni, mirëpo kjo ka qenë e vërtetë”, tha ai.

Exit mobile version