Është mbajtur mbledhja konstituive e komisionit për Qeverisje Lokale Zhvillim Rajonal dhe Media. Në këtë mbledhje është miratuar fushëveprimtaria e komisionit, ndërsa është adresuar çështja që në këtë komision të përfshihet edhe mbikëqyrja e administratës publike.
Anëtari i komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri tha se ky komision ka mbikëqyrur punën e administratës publike, por që këtë herë administrata publike nuk është përfshirë tek asnjë nga komisionet. Ai tha se është shumë e rëndësishme që ky komision të ketë në fushëveprimtarinë e saj edhe mbikëqyrjen e administratës publike.
“Ky komision në të kaluarën e ka mbikëqyrur edhe administratën publike, në asnjë komision nuk është i përfshire. Ky komision do të duhej që të përcjellë ligjin për paga, ligjin për qeverinë dhe ligje të tjera që janë për reformë në administratën publike. Medeomos duhet të përfshihet administrata publike. Ky komision pa mbikëqyrjen e administratës publike është jofunksional, gjithsesi në fushëveprim duhet të përfshihet kjo temë”, tha ai.
Edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se administrata publike duhet të jetë në kuadër të këtij komisioni.
“Kjo fushëveprimtari të mbetet në komisionin tonë. Kjo fushëveprimtari mund të mbikëqyret më së miri nga ky komision. Prandaj, vlerësojë se ne duhet të bëjmë kërkesë edhe në kryesi që të rishqyrtojmë këtë çështje dhe administrata publike të kthehet në këtë komision”, tha ai.
Ideja që të rikthehet në këtë komision edhe administrata publike është përkrahur edhe nga deputetët e pozitës. Besim Muzaqi nga LVV, tha se si komision duhet ta adresojnë këtë çështje.
“E kam pasur të nënkuptueshme që administrata publike duhet të mbikëqyret nga ky komision. Si komision nëse jo sot në mbledhjen e ardhshme duhet ta adresojmë kthimin e kësaj kompetence mbikëqyrja e administratës publike”, tha ai.
Kryetarja e komisionit, Daorsa Kica Xhelili tha se do ta trajtojnë këtë çështje, por që ka propozuar që një herë veprimtaria e komisionit të votohet siç është paraparë.
“Natyrisht që kjo tematikë duhet të shqyrtohet. Megjithatë për të qenë më praktik ta votojmë kështu siç është e më pastaj ta adresojmë”, tha ajo.
Në këtë komision u vendos që në mbledhjen e ardhshme që do të mbahet me 20 mars, të ftohen për raportim nga Komisioni i Pavarur për media, ndërsa u dakorduan që ky komision të mbajë mbledhje çdo të martë në orën 10.