Me 7 vota për dhe një abstenim Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka miratuar në parim Projektligjin për Gjykatën Administrative.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova për herë të parë do të këtë Gjykatë të specializuar për të gjitha konfliktet administrative. Ajo ka thënë se kjo gjykatë do t’i ketë dy shkallë, e 25 gjyqtarë do të jene në shkallën e parë dhe 9 në të dytin.
“Për herë të parë Kosova do ta ketë një Gjykatë të specializuar për të gjitha konfliktet administrative. Nëpërmjet këtij projektligji, Gjykata Administrative do të jetë kompetente që të vendos në raport me këto çështje kryesore, të gjitha konfliktet administrative përveç atyre që janë në juridiksion të gjykatës supreme, të gjitha konteste nga marrëdhënia e punës, Gjykata Administrative do të organizohet ne dy shkalla, dy shkallë të gjykimeve do t’i ketë”, ka thënë ajo.
Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, ka thënë se nuk është e vërtetë që në Kosovë për herë të parë është duke u trajtuar kontestet administrative. Ai para deputetëve dhe ministres ka paraqitur disa problem sa i përket kësaj Gjykate.
“Unë i kam disa dallime parimore për themelim e kësaj gjykatë. Parimisht jam kundër që të eksperimentoj për kaq vite në Kosovë që herët të jetë departament të veçantë here gjykatë. Problemi në përmbajtje e kam siç e kam pasur në gjykatë komerciale, ju po mendon që sistemi dy shkallës të ketë vetëm një kryetarë. Shkalla e parë e Gjykatës Themelore dhe e Apelit të ketë një kryetar gjykate, këtë e kam thënë edhe për Gjykatën Komerciale se e cenon pavarësinë, ju e keni parë edhe këtu dhe mendoj që është gabim themelorë. Departamenti që ka qenë po e largojmë po e bëjmë në Gjykatë Administrative koha do ta tregojë a do të jetë më keq apo më mirë, këtë koha do ta tregojë. Departamentet nuk kanë qenë funksionale sipas botëkuptimeve të qeverisë po si të jetë fundi do të mbetet të shihet”, ka thënë ai.
E deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, ka thënë se themelimi i kësaj gjykate është i nevojshëm. Ai ka theksuar se pajtohet me problem që ka paraqitur deputeti Driton Selmanaj por që konsideron se e rëndësishme është që kjo gjykatë të jetë në interes të qytetarëve dhe jo partive politike.
“Unë jam në mbështetje të plotë. Mendoj që një gjykatë e tillë administrative është e vonuar. Duhet me urgjencë me trajtua te rregulloret. Unë jam kundër ushtruesve të detyrës”, ka thënë ai.
Ministrja duke ju përgjigjur deputetëve ka thënë se themelimi i Gjykatës nuk ka lind si shkak i kërkesave të BE-së, por si kërkesë e qytetarëve. Ajo ka shtuar se themelimi i Gjykatës ka ardhur si nevojë e si shkak i numrit të madh te lëndëve si dhe zvarritjeve të tyre.