Komisioni për Legjislacion ka miratuar raportin me amendamente për Projektligjin për Këshillin Prokurorial. I njëjti u konsiderua i nevojshëm për reformat në KPK dhe efikasitetin e tij, ndërsa u kritikua nga opozita.
Kryetari i komisionit, Adnan Rrustemi, tha se për plotësim-ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokuorial janë dhënë dy opinione të Komisionit të Venecias dhe se në grupin punues kanë adresuar çështjet e nevojshme.
“Për këtë Projektligj janë dhënë dy opinione nga Komisioni i Venecias, të cilën sponsorizuar është përpjekur në tërësi t’i marrë për bazë. Madje në grupin punues ne kemi adresuar disa prej çështjeve që kemi konsideru të nevojshme për t’u sqaruar”, tha ai.
Përkrahje adresoi edhe deputetja e LVV-së, Doarsa Kica-Xhelili.
“Se a do të ndikojë ky ristrukturim në ndryshimet e nevojshme që të bëhet më efektiv KPK-ja, nuk e di, por e di se diçka duhet të ndodh. Shpresoj që ky ndryshim të ketë efektin të cilin po synon. Për mua është e rëndësishme që mos të ketë çështje të kundërligjshme dhe kundër kushtetuese të cilat do të ngriheshin si shqetësim për mua. Pasi në aspektin strukturor në këtë projektligj nuk po shoh asgjë që do të mund të bllokonte KPK-në nga funksionimi i mirëfilltë. Rrjedhimisht, vota ime natyrshëm do të jetë për”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, megjithëse tha se disa vërejtje janë adresuar në grupin punues, paraqiti arsyet e tij pse nuk e përkrah Projektligjin për KPK-në.
“Kam pas vërejtje shumë të mëdha për këtë projektligj, por si rezultat i grupit punues kam pa se disa çështje janë adresuar. Por përsëri disa çështje të rëndësishme kanë mbetur të pa adresuara. Njëra prej tyre ka të bëjë anëtarin e Avokatit të Popullit që zgjidhet si anëtar i KPK-së, nuk janë përcaktuar kriteret është lënë në ingirencë të jashtëzakonshme që Avokati i Popullit vet të vendos se kush të jetë në Këshillin Prokurorial nga ky institucion. Në anën tjetër, nuk janë qartësuar dilemat që ne i kemi ngritë se Avokati i Popullit si institucion, a ka konflikt interesi se merret me përgjegjësit disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në një fazë të caktuar. Tash të jesh anëtar i një këshilli dhe në anën tjetër të merresh me disiplinimin e tyre ka diçka që nuk funksionon. Nga ana tjetër ka një përpjekje të rregullohet çështja e vendimmarrjes që dy anëtarët që i zgjedh politika të ketë një vlerë si çdo anëtarë tjetër”, deklaroi ai.
Krahas këtyre, komisioni miratoi edhe raportin për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe për Projektligjin për Provimin e Jurisprudencës.