Me gjashtë vota pro, Komisioni për Integrim Evropian i dhanë dritën jeshile Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Në këtë Komision, partitë opozitare u shprehën kundër këtij projektligji duke thënë se është antikushtetues dhe kundër Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ndërsa nga pozita u kërkua me ngulm të votohet ky Projektligj, me ç’rast thanë se është e nevojshme ndërhyrja e shtetit në rastet kur ka çrregullim të çmimeve në treg.
Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra u shpreh kundër këtij Projektligji, duke thënë se i njëjti është kundër direktivave të Bashkimit Evropian dhe kundër marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
“Ndonëse projektligji në fjalë i cili merret me përcaktimin e çmimit tavan për produktet themelore nuk rregullohet me direktivat e Bashkimit Evropian. Ne kemi një marrëveshje të kontraktuar ndërmjet dy palëve, i cila parasheh obligimet të Kosovës dhe Bashkimit Evropian në raport me ndryshimet ligjore që ne i bëjmë, për më tepër ne sot e fillojmë takimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ku do të flasin për progresin që e kanë bërë institucionet tona dhe do të koordinohemi me politikat dhe zbatueshmërinë e planit kombëtar të MSA-së. Jo vetëm kjo që bie ndesh me MSA-në, ne si PDK konsiderojmë se në radhë të parë projektligji është kundër kushtetues sepse iu jep të drejtë bizneseve të mëdha, ndërkohë i dekurajon bizneset e vogla e të cilat edhe ashtu janë shumë afër shuarjes. Prandaj nuk do të marrim pjesë në votim, sepse ligji është antikushtetues”, u shpreh Deliu-Kodra.
Kundër këtij Projektligji u shpreh edhe kryetarja e këtij Komisioni, Rrezarta Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj u shpreh kundër këtij Projektligji, duke shtuar se i njëjti është antikushtetues.
“Mendoj se të gjitha partitë i kanë dhënë qëndrimet në një seancë parlamentare, dhe i kemi arsyetuar se përse nuk duhet votuar, megjithatë kjo shumicë i ka votat dhe munden me kaluar, por megjithatë edhe unë mendoj se është antikushtetues, dhe nuk mendoj se votimi i këtij ligji i bën nder këtij Kuvendi, e as Komisionit Parlamentar”, tha Kadriaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni e konsideron si të nevojshme ndërhyrjen e Qeverisë në rastet kur ka destabilizim me çmime në treg.
“Në rastet kur është e domosdoshme, në rastet kur preket interesi qytetar nga operatorët e pandërgjegjshëm të cilët i kemi parë në raste të caktuara edhe kanë vepruar, siç ishte rasti me vajin e lulediellit dhe në raste tjera, dhe të tilla raste kur paraqiten spekulime të çmimeve në treg e që e dëmtojnë xhepin e qytetarëve, unë nuk besoj se kemi arsye si ligjvënës me i thënë Qeverisë jo nuk keni mundësi të ndërmerrni veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve”, tha Hyseni.