Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti gjatë shqyrtimit të vendimit të Qeverisë për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare – ARKEP, ka miratuar bordin e nominuar nga Qeveria, por ka kërkuar nga Qeveria të plotësojë dokumentacionin shtesë për kandidatët në mënyrë që kjo çështje të shqyrtohet dhe votohet në mbledhjen e ardhshme të Komisionit.
Kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se ka mungesë të dokumenteve ashtu siç kërkohet me ligj.
“Ligji është i qartë për këtë çështje, dhe konsideroj që kjo listë t’i kthehet qeverisë për plotësim. Ka mungesë të dokumentacionit që kërkohet me ligj. Unë dua me parë dokumentet se këta kandidatët a kanë konflikt interesi. Vetëm dy prej tyre i plotësojnë kriteret”, tha Shala.
Deputetja Mimoza Kusari Lila nga VV-ja emrat e këtyre kandidatëve janë publik që kur qeveria i ka nominuar. Nuk jam që emrat e tyre të kthehen në Qeveri. Propozimi im është të bëjmë një kërkesë për Zyrën e kryeministrit që të plotësohen këto kushte. Kualifikimi i secilit prej tyre është konform ligjit.
Edhe deputeti nga VV Driton Hyseni propozoi që kjo çështje të pezullohet deri në plotësimin e kërkesës për dokumentacion brenda javës nga Qeveria për këta kandidatë.
Ndërsa, deputeti Pal Lekaj nga AAK ka kërkuar sqarim se a ka pasur konkurs për anëtarët e Bordit të ARKEP. Deputeti Ferat Shala tha se të nominuarit nuk janë zgjedhur me konkurs.
Lista që është miratuar nga kabineti qeveritar ditë më parë për Bordin e ARKEP përbëhet nga: Nazim Rrahimi – kryetar, Lule Ahmedi – anëtare, Shkumbin Hamiti – anëtar, Rrezarta Duraku Rizaj – anëtare, dhe Arijan Qorrolli – anëtar. Ndërsa, komisioni është duke shqyrtuar Raportin vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës – AKK, për vitin 2020.