Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka miratuar me shumicë votash vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë. Ky vendim pritet të shqyrtohet sot edhe në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë raportimit në komision, theksoi se në kuadër të masave emergjente, janë marrë disa vendime, ku mes tyre është shfuqizuar vendimi i vitit 2018, ku ka ndaluar dhënien e thëngjillit si formë dhurate për punëtorët e KEK-ut.
Ministrja Rizvanolli para deputetëve ka demantuar raportimet në media lidhur me remontin gabimisht të njësisë “B2”. Ministrja Rizvanolli i ka quajtur shpifje këto raportime se është bërë gabimisht riparimi i këtij blloku në KEK.
Ndonëse, Rizvanolli kërkon kursim të energjisë nga qytetarët dhe paralajmëron se pritet një krizë e thellë për furnizim me energji elektrike gjatë dimrit ku do të ketë reduktime të rrymës.
Pas insistimit të kryetarit të Komisionit, Ferat Shala, ministrja e Ekonomisë ka pranuar se mjetet financiare milionëshe për subvencionim të energjisë janë alokuar në xhirollogaritë e kompanisë private KESCO.
Sa i përket furnizimit me energji në minierën e Trepçës dhe rënies së performancës së kësaj ndërmarrje publike, kjo ngjalli debat të ashpër mes deputetit Armend Muja dhe kryetarit të Komisionit, Ferat Shala.
Pikërisht për këtë, Muja akuzoi deputetin Shala për operimin me humbje të Trepçës nga viti 2016.
“Ti, ti je fajtor”, iu drejtua me gisht Muja Shalës.
Për këtë reagoi deputeti Shala, i cili e quajti të paditur deputetin Muja.
Deputetja Mimoza Kusari Lila ka apeluar që në këtë betejë me krizën energjetike, të mos ketë shaka ose dezinformata në opinion për kursime dhe punën në KEK.
Deputeti Pal Lekaj theksoi se masat qeveritare për krizën energjetike janë të pamjaftueshme.