Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për hetimin e sulmin të 6 janarit në Kapitol, zhvillon sot seancën e fundit publike.
Komisioni pritet t’i rekomandojë Departamentit të Drejtësisë ngritjen e akuzave penale ndaj ish Presidentit Donald Trump. Komisioni i përbërë nga 7 demokratë dhe dy republikanë, veç ish presidentit, pritet të rekomandojë ndjekjen penale edhe të disa ish ndihmësve të tij, nën akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 të fituara nga demokrati Joe Biden.
Komisioni i 6 janarit nuk ka fuqi ligjore, prandaj rekomandimi për ndjekjen penale shënon vetëm një akt simbolik, pasi ngritja e akuzave i takon Departamentit të Drejtësisë. “Mendoj se Presidenti Trump ka kryer disa shkelje ligjore dhe ai duhet të trajtohet si çdo amerikan që thyen ligjin dhe të ndiqet penalisht”, tha për CNN-in të dielën, demokrati Adam Schiff, anëtar i Komisionit. Komisioni do të shkrihet në 3 janar, kur kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve ta marrin republikanët.
Që nga ngritja e tij në korrik të vitit 2021, komisioni ka intervistuar më shumë se 1 mijë persona, ka zhvilluar 10 seanca dëgjimore publike dhe ka administruar më shumë se sa 1 milionë dokumente. Mbledhja e një numri të madh provash, ka nxitur anëtarët e komisionit të deklarojnë se z. Trump duhet të fajësohet për sulmin e dhushëm të Kapitolit nga mbështetësit e tij rreth dy vjet më parë.
Ligjvënësit kanë sugjeruar që zoti Trump të akuzohet për komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, përpjekje pëpr të ndërprerë seancat zyrtare të Kongresit dhe kryengritje. Ndërsa për ndihmësit e tij janë sugjeruar akuza për shklekje të ligjeve të etikës, abuzime ligjore dhe shkelje të ligjit për financimin e fushatave./VOA