Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, njëherësh anëtar i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të punës së këtij Komisioni.
Në një deklarim para mediave, Tahiri ka thënë se mazhoranca qëllimshëm nuk po dëshiron të zbardhen hetimet e opozitës.
Madje Tahiri tha se në këtë mbledhje është pritur të dërgohet ftesë për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Sot dështoi mbledhja e këtij Komisioni Hetimor si rezultat i mospjesëmarrjes së deputetëve nga mazhoranca dhe unë mendoj se askush nuk duhet të jetë kundër zbardhjes së të vërtetës dhe hedhjes në dritë të gjithë asaj se çka ka ndodh gjatë periudhës së importit të energjisë elektrike”, deklaroi ai.
“Në anën tjetër kishim në rend dite, pra ftesën për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që të vijë dhe të dëshmojë para Komisionit për implikimet për të cilat ne kemi pretenduar gjatë kësaj krize, dhe ftesa për akterët tjerë të rëndësishëm që kanë qenë të involvuar në këtë proces. Si opozitë është e rëndësishme që gjithë këta akterë të jenë para Komisionit Hetimor dhe të dëshmojnë për angazhimin e tyre dhe për implikimet e tyre gjatë kësaj periudhe”, tha Tahiri.