Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, sot do të votojë listën e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim.
Ky komision që kryesohet nga deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, u iniciua nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kërkon që të hetohen aktivitetet në sektorin e energjisë në periudhën kohore 2006-2022.
Këtu përfshihet hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës pas privatizimit të distribucionit në këtë kompani.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për themelimin e dy komisioneve hetimore për energjinë elektrike gjatë seancës së 5 majit, gjatë së cilës pati debate të ashpra.
Një komision hetimor është iniciuar nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe i njëjti do të kryesohet nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.